E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusi-Evropë, asnjë pikë gaz mes tyre

Gazi rus që kalon përmes
Ukrainës për në Evropë
është ndalur tërësisht
dje, duke reduktuar
punën në komplekset industriale
në shumë vende të Evropës,
kryesisht në pjesën juglindore
të saj. Mbyllja e rubineteve të
gazit erdhi si pasojë e kontradiktave
mes Moskës e Kievit dhe ka
prekur edhe vende perëndimore
si Franca e Gjermania, ndërkohë
që i gjithë kontinenti po kalon
ditët më të ashpra të dimrit.
"Rusia, e cila i jep 80 për qind
të gazit të saj Evropës, përmes
Ukrainës, e ka lënë Evropën pa
gaz. Gjatë ditës nuk ka kaluar
asnjë metër kub", bëri të ditur
Valentin Zemlayanski, zëdhënës
i firmës shtetërore energjetike
ukrainase "Naftogaz". Kompania
ruse e gazit, "Gazprom", fajësoi
Ukrainën për ndalimin e qarkullimit
të gazit dhe deklaroi se
do t‘i dërgonte furnizimet drejt
Evropës dhe Turqisë me rrugë
alternative. Austria, Sllovakia,
Çekia, Polonia dhe Rumania
bënë të ditur se furnizimi përmes
Ukrainës ishte ndalur dhe se këto
vende iu shtuan listës së vendeve
të tjera që kanë pasur pakësim
ose ndërprerje të gazit rus përmes
gazsjellësit të Ukrainës. Disa
vende kanë bërë të ditur se po e
marrin gazin rus përmes rrugëve
të tjera. Në disa vende janë marrë
masa urgjente për parandalimin
e ndonjë situate krize, duke vënë
në përdorim burime të tjera
energjetike. Agjencia Ndërkombëtare
e Energjisë bëri të ditur
se Bullgaria, Rumania, Greqia
dhe Turqia do të përballen me
vështirësi për përftimin e gazit
për industrinë dhe për ngrohje,
duke qenë se edhe moti i ftohtë
është shndërruar në një faktor
tjetër që e vështirëson situatën.
Reduktimi i furnizimeve me gaz
nisi më 1 janar, kur Rusia reduktoi
volumin e gazit për Ukrainën pas
një debati me Kievin në lidhje me
mospagimin nga ana e tij e çmimeve
të gazit. Kjo krizë u kujton
të gjithëve atë të vitit 2006, veçse
këtë herë duket sikur po zgjat më
shumë dhe është më e vështirë.
Presidenca e Bashkimit Evropian
bëri të ditur që do të mbajë shumë
shpejt një qëndrim të përcaktuar
dhe të prerë nëse gazi nuk do të
mbërrijë deri të enjten në rubinetet
e Evropës. Organizata, megjithatë,
ka një mandat të kufizuar
për të vepruar në një rast të tillë.
Për sa i përket Ukrainës, shefi i
kompanisë shtetërore të gazit bëri
të ditur se do të jetë në Moskë të
enjten për bisedime dhe se shpreson
t‘i japë një zgjidhje situatës.
Megjithatë analistët thonë se nuk
ka shenja që Moska e Kievi të bien
në ndonjë ujdi tani së afërmi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›