Madhi: “Kompensimi i pronarëve, proces që do të vazhdojë me dekada”
Deputeti i Partisë Republikane, Arian Madhi, ka deklaruar dje se procesi i kompensimit të shtresës së ish-pronarëve nuk mund të zgjidhet edhe në rast se maxhoranca fiton një mandat të dytë qeverisës. Ai shprehet se ky është një proces kompleks që do të zgjasë disa dekada. "Unë them që ky është një proces që do të vazhdojë për dekada, për qindra vjet dhe është një proces i dështuar në qoftë se ne mbetemi thjesht në këtë proces. Unë mendoj që kjo është një çështje që nuk do ta zgjidhë një mandat apo dy mandate qeverisëse”, - është shprehur Madhi nga deputetët e partisë aleate të PD-së. Sipas tij, këshillat e qarqeve kanë penguar Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të realizojë listat e dëmshpërblimit të pronarëve. "Është një çështje rutine administrative, është një çështje që është penguar nga strukturat e qarqeve, por më në fund kjo është një çështje në zgjidhje”, - është shprehur Madhi. Vetëm një ditë më parë reaguan përfaqësues të Shoqatës së ish-Pronarëve, të cilët shprehën zhgënjim për ecurinë e procesit të kompensimit të ish-pronarëve. Ata deklaruan se do të votojnë kundër qeverisë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
7 Janar 2009