E Diel, 1 Nëntor 2026

PAD dhe PBDNJ, zgjedhja e koalicioneve ende enigmë



Partia Aleanca Demokratike dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut janë të vetmet forca politike, të cilat ende nuk e kanë sqaruar përfundimisht zgjedhjen e tyre se përkrah cilit koalicion do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. PAD-ja është e dyzuar në zgjedhjen e saj, midis zgjedhjes së koalicionit të drejtuar nga Partia Demokratike, apo koalicionit të drejtuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Aktualisht PAD-ja duket më afër koalicionit të Partisë Demokratike, megjithatë një gjë e tillë ende nuk është zyrtarizuar. Përveç kësaj, drejtuesit e PAD-së kanë mbështetur idenë e krijimit të polit të tretë, çka nënkupton garimin përkrah koalicionit të Lëvizjes Socialiste për Integrim. E njëjta situatë mund të thuhet edhe për Partinë e Bashkimit të Drejtave të Njeriut. Aktualisht PBDNJ-ja është pjesëtare e koalicionit aktual qeverisës, por drejtuesit e PBDNJ-së kanë deklaruar se do të rishohin pozicionin e tyre në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Në qëndrimet e fundit të PBDNJ-së është konstatuar një përputhje qëndrimesh me ato të Partisë Socialiste, dhe PBDNJ-ja konsiderohet tashmë edhe si një kandidate e mundshme për të qenë pjesë e koalicionit të Partisë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

7 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›