Sistemi proporcional, arsyet se përse partitë zgjodhën të garojnë në koalicione
Shaban Sulçe
Sistemi i ri zgjedhor, proporcional rajonal, me të cilin do të konkurrohet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ka nxitur pothuajse të gjitha partitë, të majta e të djathta, që të bëjnë kalkulimet e tyre për avantazhet dhe disavantazhet që përfitojnë nga garimi me koalicione përkrah dy partive të mëdha, apo nga garimi me koalicione më vete. Vetë sistemi proporcional rajonal nxit formimin e koalicioneve dhe bashkimin në to të të gjitha partive. Megjithatë, ndryshe nga sa mund të ishte parashikuar, në zgjedhjet e ardhshme nuk do të paraqiten vetëm koalicionet e dy partive të mëdha, PS e PD, por edhe dy koalicione të tjera, të cilat priten të udhëhiqen nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokristiane. Kjo pasi janë të shumta arsyet që nxisin partitë të kandidojnë në koalicione.
PS e PD
Si Partia Socialiste, ashtu dhe Partia Demokratike do të hyjnë në zgjedhjet e ardhshme me objektivin kryesor për t’i fituar ato. Duke qenë partitë kryesore, si PS-ja, ashtu dhe PD-ja kanë probabilitetin më të madh për të qenë fituese të këtyre zgjedhjeve. Por pavarësisht këtij fakti, të dyja këto parti kanë shpallur krijimin e koalicioneve të tyre, duke bërë ftesë edhe për partitë aleate. Avantazhi i PS-së dhe i PD-së lidhet me mënyrën se si do të votohet dhe mënyrën se si do të numërohen votat, si dhe me formulën e shpërndarjes së mandateve. Siç dihet, në zgjedhjet e ardhshme do të votohet vetëm me një fletë votimi, e cila do të numërohet mbi bazën e koalicioneve. Duke marrë votat e partive aleate, ato u bashkohen votave në total të koalicioneve të drejtuara nga partitë kryesore, PS e PD. Avantazhi i dytë i këtyre dy partive është i lidhur me formulën e shpërndarjes së mandateve. Siç dihet, në Kodin Zgjedhor është sanksionuar formula D’hondt, e cila favorizon partitë e mëdha në përfitimin e sa më shumë mandateve.
PR e PSD
Partia Republikane dhe Partia Social Demokrate konsiderohen forcat e dyta më të mëdha në koalicionet që drejtohen respektivisht nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste. Avantazhi kryesor i PR-së dhe PSD-së për futjen në këto koalicione është i lidhur ngushtësisht me ndërthurjen në Kodin Zgjedhor të dy formulave për shpërndarjen e mandateve, formula D’hondt dhe formula Saint Laguë. Si Partia Republikane, ashtu edhe Partia Social Demokrate avantazhohen nga ky fakt, pasi ato do të kenë mundësi që të përfitojnë mandate deputeti, edhe pse mund të kenë më pak vota, se partitë kryesore të koalicioneve të tjera, që garojnë përballë koalicionit të PD-së dhe koalicionit të PS-së. Kuptohet që si në rastin e PR-së, ashtu edhe në atë të PSD-së, avantazhet e tyre lidhen edhe me hapësirat qeverisëse që ato mund të përfitojnë në rast të fitores së koalicioneve në të cilat ato bëjnë pjesë.
PDR dhe PDS
Prej disa muajsh Partia Demokrate e Re ka shpallur bashkimin e strukturave të saj me strukturat e Partisë Demokratike, duke zyrtarizuar gjithashtu edhe bashkimin me koalicion e drejtuar nga forca kryesore e të djathtës. PDR avantazhohet në këtë drejtim pasi drejtuesit kryesorë të saj do të kenë mundësi që të përfaqësohen në listat për deputetët të PD-së në zgjedhjet e ardhshme. Nga ana tjetër, Partia Demokracia Sociale deklaroi gjatë muajit të kaluar bashkimin me koalicionin e Partisë Socialiste. I vetmi avantazh i PDS-së mbetet ndërthurja në Kodin Zgjedhor të dy formulave D’Hondt dhe Saint Laguë. Në disa qarqe PDS shpreson të marrë më shumë vota se sa Partia Social Demokrate, duke u bërë kështu përfituesja kryesore e mandateve që sigurohen nga koalicioni. Ashtu si PR-ja, dhe PSD-ja, edhe demokratët reformatorë dhe Demokracia Sociale mund të përfitojnë hapësira qeverisëse në rast të fitores së zgjedhjeve nga koalicionet, në të cilat bëjnë pjesë.
LSI dhe PDK
Lëvizja Socialiste për Integrim ka shpallur koalicionin “E majta për integrim”, e cila do të udhëhiqet prej saj në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Me këtë koalicion deri tani është bashkuar Partia Socialiste ‘91. Avantazhi i LSI-së në daljen e një koalicioni të vetëm përballë koalicioneve të PS-së dhe PD-së është i lidhur me faktin se LSI-ja, përveç votave të saj, pritet të marrë votat e të pakënaqurve nga qeverisja aktuale, por edhe nga ata që janë të pakënaqur me politikat e ndjekura nga Partia Socialiste. LSI-ja futet në këto zgjedhje me objektiv për të marrë një numër të konsiderueshëm deputetësh, për të qenë më pas forcë faktor në formimin e qeverisjes.
Koalicioni i katërt është ai që do drejtohet nga Partia Demokristiane. Me këtë koalicion pritet të bashkohet edhe Lëvizja për Zhvillim Kombëtar. Avantazhi i PDK-së dhe LZHK-së i garimit në një koalicion më vete është se këto forca, përveç votuesve të tyre, synojnë marrjen e votave nga votues besnik të së djathtës, por që janë të pakënaqur me qeverisjen aktuale.
4 koalicionet në zgjedhje
1-Partia Demokratike, Partia Republikane, Partia Agrare Ambientaliste, Partia Demokrate e Re, Lëvizja e Legalitetit
2-Partia Socialiste, Partia Social Demokrate, Partia Demokracia Sociale
3-Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Socialiste ‘91
4-Partia Demokristiane, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar
7 Janar 2009