Berisha-Bode, debat për nivelin e rritjes ekonomike në vend
Eljona Ballhysa
Kryeministri Berisha ka debatuar dje gjatë mbledhjes së Komitetit për Planifikimin e Strategjive me ministrin e Financave, Ridvan Bode, për shifrat e rritjes ekonomike në vend. Kryeministri Berisha është shprehur se gjatë vitit 2008 rritja ekonomike e raportuar nga INSTAT-i dhe e certifikuar nga FMN-ja në Shqipëri ka qenë 9.9 %. Por kjo shifër është hedhur poshtë nga ministri Bode, i cili ka bërë të ditur se kjo shifër është raportuar vetëm për tremujorin e parë të vitit. Sipas Bodes, rritja ekonomike e vendit gjatë vitit të kaluar ka qenë 7%. Por kryeministri Berisha i ka tërhequr vëmendjen ministrit të Financave duke kërkuar që kjo ministri të operojë me shifrat e publikuara nga Instituti i Statistikave.
Debati
Gjatë diskutimeve mbi kuadrin makroekonomik e fiskal 2010-2012, kryeministri kërkoi nga Ministria e Financave të punojë mbi bazën e treguesve të nxjerrë nga Instituti i Statistikave, institucioni ligjërisht përgjegjës për llogaritjen e tyre. Duke i tërhequr vëmendjen Ministrisë së Financave, kryeministri Berisha u shpreh se kjo ministri duhet të përdorë të dhënat e INSTAT-it. “Ky është një ekip që ka një kontribut të jashtëzakonshëm dhe unë e kam theksuar dhe e theksoj këtë me vendosmërinë dhe kënaqësinë më të madhe. Por sot, ky ekip vjen me konflikt flagrant interesi. Unë bie dakord me shifrën më të vërtetë dhe shifra më e vërtetë është shifra që jep Instituti i Statistikave. Përqindja e rritjes ekonomike është baza më e fuqishme infrastrukturore ekonomike për rritjen e pagave, duke ruajtur raportin. Unë jam për rritjen e pagave dhe pensioneve. Vazhdimi i kësaj politike është kushti më kryesor dhe drejtim themelor i qeverisjes. Ndaj dhe shifrat mendoj se është në interesin më të mirë të gjithsecilit që t’ia lëmë institucionit që ia kemi besuar. Në rast se kemi dyshimin më të vogël, të ulemi me të dhe e diskutojmë. Në Institutin e Statistikave ka një punonjës të Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili ka punuar së bashku me ta për muaj të tërë, i cili ka qenë në zyrën time dhe i ka certifikuar tërësisht shifrat e tyre. Ky është realiteti”, - u shpreh kryeministri. Kjo deklaratë e Berishës u kundërshtua nga ministri Bode, i cili tha se rritja ekonomike vjetore ka qenë 7%.
Kriza
Komiteti i Planifikimit të Strategjive miratoi dje kuadrin makroekonomik dhe fiskal për periudhën 2010-2012. Kryeministri Berisha e përqendroi fjalën e tij në masat që do të marrë qeveria për të shmangur krizën ekonomike që ka prekur shumë vende të botës. “Është fat i madh që ne nuk jemi të prekur nga kriza dhe kjo është e sigurt. Ekonomia jonë nuk ka pasur një komponent të fuqishëm financiar. Në tërësi ajo ka qenë 70 për qind ekonomi reale dhe 30 për qind financiare. Por tensioni botëror na imponon që edhe ne të ndjekim disa trende: rritja e investimeve, rritja e pagave dhe pensioneve dhe ulja e taksave, që ne e kemi. Unë besoj se ky është trinomi më i shkëlqyer për të mbrojtur ekonominë e vendit”, - është shprehur Berisha. Kryeministri vlerësoi se Shqipëria është në rrugën e duhur përsa u përket këtyre trendeve, duke kërkuar që ato të reflektohen edhe në kuadrin makroekonomik e fiskal 2010-2012. “Në qoftë se na thuhet se cilat janë masat antikrizë që ne marrim, mendoj se ne jemi në rrugë të shkëlqyer në kuptimin e taksave, të tjerët po i ulin, ndërsa ne i kemi të ulëta dhe po i ulim prapë. Ne kemi politikën e rritjes së pagave më të mirë se kushdo tjetër për proporcionet tona. Ne i kemi investimet 32 për qind të buxhetit, të cilat do t’i ruajmë”, - është shprehur kreu i qeverisë.
7 Janar 2009