Arratisen ekipet shqiptare
Larg Shqipërisë. Atje ku kushtet janë më të mira. Thuajse të gjitha ekipet e Kategorisë Superiore do të “arratisen” gjatë pauzës dimërore të kampionatit përpara rifillimit të kampionatit, më 31 janar 2008 (java 18). Destinacionet janë Turqia, Maqedonia e Mali i Zi.
MALI I ZI
VLLAZNIA – Kryesuesit e kampionatit (pas 17 javëve të para) do ta kryejnë fazën përgatitore në Ulqin të Malit të Zi, nga data 9 deri 24 janar.
BESA - Faza përgatitore e Besës do të zhvillohet në Malin e Zi. Presidenti Nexhat Bizhdili ka premtuar katër emra të rinj për merkaton e janarit, dy mbrojtës, një mesfushor e një sulmues.
TEUTA - Edhe Teuta e presidentit Edmond Hasanbelliu e trajnerit Sulejman Starova do të zhvillojë pjesën e dytë të fazës përgatitore dimërore në Ulqin të Malit të Zi (13-26 janar).
FLAMURTARI - Flamurtari nisi stërvitjen e parë për vitin 2009 me lojtarët shqiptarë. Skuadra e Emdond Licajt - e mbylli pjesën e parë të sezonit në vendin e shtatë, 23 pikë – do të kryejë fazën përgatitore në Ulqin (10-20 janar).
TURQI
TIRANA – 23-herë kampionët nisën stërvitjen dimërore, ndërkohë që faza përgatitore do të zhvillohet në Kemer të Turqisë (10-24 janar), ku është parashikuar edhe një miqësore me Fenerbahçen.
DINAMO - Faza përgatitore e Dinamos do të zhvillohet në Turqi, duke filluar nga data 12 janar. Gjatë dy javëve të qëndrimit në Antalia, Dinamo ka planifikuar zhvillimin e tre ndeshjeve miqësore.
MAQEDONI
ELBASANI - Minifaza përgatitore do të zhvillohet në Maqedoni. Bashkia e qytetit ka dhënë 400 mijë dollarë për vitin 2009. Likuidimet e futbollistëve dhe e stafit do të bëhet brenda dy javëve të para të janarit.
Bushati, i kënaqur: “Kandidatët U-21, interesantë”
Njëzet e dy futbollistë të moshës deri në 21 vjeç e që luajnë në kampionatet e huaja janë duke u testuar nga trajneri i Shpresave të Shqipërisë, Artan Bushati, në Kompleksin e Ekipeve Kombëtare në Kamzë. Kandidatët për një vend në formacionin e dytë kuqezi kanë ardhur nga kampionate të ndryshme europiane si ato gjermane, greke, franceze, suedeze, madje dhe amerikane.
Trajneri Artan Bushati dha një opinion paraprak në lidhje me ditën e parë të stërvitjes. “Është një grumbullim me lojtarët që luajnë jashtë Shqipërisë. Është një testim që ka si synim njohjen e vlerave të tyre. Ka një grup lojtarësh që janë interesantë. Shpresoj se pas stërvitjes së fundit do të japim edhe një opinion përfundimtar në lidhje me të ardhmen e tyre me përfaqësuesen U-21”.
Sulmuesi 18-vjeçar Shqipon Bektashi është një nga ata që po lë një përshtypje të mirë në grumbullim. Sulmuesi kosovar nga Presheva luan për Frajburgun në Bundesligën 2, një ish-skuadër e Altin Rrakllit, golashënuesit të dytë më të mirë shqiptar në Gjermani, por dhe me fanellën e Kombëtares shqiptare.
Bektashi, i cili ka nënshkruar një kontratë profesioniste me Frajburgun deri në vitin 2011, dallohet për lojën e tij me të dyja këmbët, cilësi që i paraqiti edhe në ditën e parë të stërvitjes në Kamzë.
“Telefonova në Federatë (Federatën Shqiptare të Futbollit) dhe ata më thirrën në grumbullim. Ndihem shumë mirë. Zemra ime është shqiptare dhe dua të luaj për Kombëtaren shqiptare”, - tha për televizionin “Vizion Plus” Bektashi, i cili me Frajburgun U-19 shënoi 14 gola në kampionatin dhe Kupën e Gjermanisë për U-19.
Shqipon Bektashi është ndjekur për disa kohë nga ekipet më të mëdha në Europë, përfshirë edhe Çelsin e Mançester Junaitid.
Një tjetër lojtar interesant është dhe mbrojtësi Serafin Ziu, i cili luan në Greqi me Asteria Tripolis. Futbollisti prej 16 vjetësh jeton në shtetin helen, por kurrsesi nuk mendon të luajë me përfaqësuesen greke. “Edhe sikur pasaportë greke të marr, prapë se prapë me Shqipërinë do të luaj”, - u shpreh lojtari i zbuluar nga shefi i zyrës së talenteve në Greqi, Petro Ruci. Ziu ka si idhull në Kombëtaren shqiptare Lorik Canën. “Është një lojtar i madh, një ditë mund ta vesh fanellën e Kombëtares dhe ëndërroj të bëhem si Cana”.
Ilised Adili luan në Gjermani për Arminia Hanover, por ndodhet në fokusin e Alemania Ahen. Futbollisti me origjinë nga Vlora nuk e fsheh gëzimin që është pranuar në testimet me Kombëtaren U-21. “Është një gjë shumë e mirë, pasi për ne që jetojmë jashtë kjo është një mundësi e madhe për të treguar veten. Dëshiroj shumë të jem një ditë pjesë e Kombëtares e të kem emrin tim të shkruar në bluzën kuqezezë”. Mbrojtësi Adili është i datëlindjes 1988 dhe në sezonet 1999-2003 ka qenë pjesë e Dinamos (moshat), ndërsa më pas, në vitet 2003-2007, mbaroi shkollën sportive "Loro Boriçi”, ku ka luajtur për ekipin Shkëndija. Nga viti 2008 është pjesë e Arminia Hanover.
6 Janar 2009