Meta: “Asnjë institucion ndërkombëtar nuk kërkon hapjen e kutive të votimit”
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, ripërsërit edhe njëherë qëndrimin e maxhorancës se hapja e kutive të votimit është përfundimisht një kapitull i mbyllur. Këtë deklaratë Meta e bëri pas takimit me drejtorin e Ballkanit Perëndimor në Komisionin Europian, Pier Mirel. Zëvendëskryeministri theksoi gjithashtu se asnjë institucion ndërkombëtar nuk kërkon hapjen e kutive të votimit. “Të jeni të sigurt ju që asnjë institucion, të paktën në botën demokratike, nuk kërkon rihapjen e kutive ose nuk parakupton të flitet për dialog pikërisht për këtë gjë, sepse ju e dini shumë mirë që OSBE/ODIHR-i kanë bërë një raport nëpërmjet të cilit i kanë certifikuar këto zgjedhje si zgjedhjet më të mira të zhvilluara deri më sot në Shqipëri. Së dyti, ky raport është përshëndetur edhe nga SHBA-të dhe nga BE-ja në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së. Ashtu sikurse edhe ju e dini, që ministrat e Jashtëm të BE-së do të vendosnin për kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim pas raportit të zgjedhjeve të OSBE/ODHIR-it, që ishte një test për zgjedhjet. Vetëm kërkesën absurde të opozitës për hapjen e kutive nuk e parakupton. Gjithashtu, ju e dini që qeveria ka qenë dhe është e hapur për dialog për të akomoduar të gjitha kërkesat e arsyeshme, të cilat ndihmojnë jo vetëm për të pasur një dialog të qëndrueshëm në të ardhmen në Parlament, por njëkohësisht edhe të përmirësojmë akoma më tej standardet e demokracisë apo të funksionimit të institucioneve në vendin tonë. Askush nuk i përkrah ultimatumet, askush nuk e kthen kokën pas më 28 qershor. Kështu që besoj që të gjithë duhet ta kuptojnë se dialogu do të thotë demokraci, nuk do të thotë ultimatum, nuk do të thotë destruktivitet”, - u shpreh Meta.
25 Nentor 2009