E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Bessen: Shqipëria vend i besueshëm për investitorët

TIRANË -Në vijim të vizitës që po zhvillon në Paris, Kryeministri Sali Berisha u takua sot me ministrin francez të Energjetikës dhe Industrisë, Eric Bessen.

Zyra për shtyp e Kryeministrisë bëri të ditur se shefi i qeverise e falenderoi zotin Bessen për kontributin e tij në procesin e liberalizimit të vizave për Shqipërinë, në funksionin e tij të mëparshëm si Ministër i Integrimit.

Gjatë takimit, Kryeministri Berisha bëri një ekspoze të zhvillimit ekonomik të vendit dhe të reformave të zbatuara nga qeveria shqiptare dhe e njohu ministrin francez të Energjetikës me potencialet  që ofron Shqipëria për investitorët e huaj, duke u ndalur veçanërisht në fushën e energjisë së rinovueshme.

Përmes këtij takimi, Kryeministri ftoi investitorët francezë të investojnë në këtë sektor, por edhe në infrastrukturë e turizëm, duke garantuar mbështetjen maksimale të qeverisë shqiptare dhe të gjitha institucioneve, për investime të suksesshme në Shqipëri.

Nga ana e tij, Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Bessen, theksoi se "kemi diskutuar shumë mbi fushën e energjetikës. Shqipëria ka një shans të jashtëzakonshëm për sa i përket potencialeve hidroenergjitike dhe njëkohësisht qeveria shqiptare është duke punuar fort për zhvillimin e këtyre potencialeve në energjinë e rinovueshme, gjë e cila korrespondon edhe me prioritetet e qeverisë franceze".

Pyetjes nëse është Shqipëria një vend i besueshëm për të investuar në të iu përgjigj "absolutisht që po. Ne mendojmë se për kompanitë franceze ka mundësi investimi shumë të rëndësishme. Këto kompani mund të jenë partnerë të vërtetë në fushën e energjisë".
(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Berisha në Francë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›