Berisha: Bisedova me Berluskonin për centralin bërthamor
Berluskoni, së shpejti në Shqipëri
Paris, lobim për anëtarësimin në NATO dhe BE
Qeveria shqiptare dhe ajo italiane nisin bisedimet për ndërtimin e centralit bërthamor. Është Kryeministri Sali Berisha ai që ka nisur negociatat direkte me Kryeministrin e Italisë, Silvio Berluskoni për ndërtimin e centralit bërthamor në Shqipëri.
Z.Berisha e konfirmoi këtë fakt menjëherë pas kthimit nga samiti i Unionit të Mesdheut në Paris. Por duket se bisedimet e dyta rreth kësaj çështjeje, do të vijojnë në Tiranë, të cilën pritet ta vizitojë Kryeministri italian pas ftesës që homologu i tij shqiptar i bëri në samitin e Francës. Përmes një konference të posaçme për shtyp, ku informoi rreth samitit 3-ditor, Berisha pohoi dje se kishte biseduar me Berluskonin për këto dy çështje. "Me mikun tim Silvio Berluskoni kam diskutuar shumë gjëra, ndër të cilat pa dyshim edhe për centralin nuklear. Kam diskutuar edhe për vizitën e tij në Shqipëri, si dhe për shumë e shumë çështje të tjera, sikundër edhe me bashkëbiseduesit e tjerë", - tha z.Berisha. Po dje Kryeministri informoi dhe mbi paktin e samitit të Mesdheut krijuar nga presidenti francez Nikola Sarkozi dhe përfitimet politike e financiare të Shqipërisë pas aplikimit në projektet e këtij Unioni. Por samiti i Francës, u shfrytëzua nga kreu i qeverisë shqiptare dhe për lobimin me qëllim ratifikimin e Protokollit të Anëtarësimit në NATO dhe të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, si dhe për liberalizimin e vizave dhe probleme të tjera të bashkëpunimin bilateral dhe multilateral, që ishin objektivat kryesore në të cilat u fokusua z.Sali Berisha, gjatë vizitës së tij treditore në Francë. Duke e vlerësuar samitin e Parisit "Bashkimi për Mesdheun", si një iniciativë të guximshme dhe largpamëse të Presidentit francez Nikola Sarkozy, kreu i qeverisë vuri në dukje se "ky samit shënoi një fillim të ri dhe historik në bashkëpunimin, shkëmbimin dhe marrëdhëniet politike, ekonomike, kulturore e të gjithanshme, që lidhin vendet e rajonit të bregut jugor e verior të detit Mesdhe". “Samiti ishte një ridimensionim i madh i Procesit të Barcelonës”, - tha Kryeministri Berisha, ndërsa vuri në dukje se "u trajtuan problemet më madhore të kohës, me të cilat përballen vendet e këtyre rajoneve, anëtare të Bashkimit për Mesdheun, zgjidhja e të cilave ndikon ndjeshëm në paqen, stabilitetin dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve të këtyre vendeve". "Temat e zgjedhura për debat në Samit ishin energjia, ushqimi, ndryshimet e klimës, mbrojtja e detit Mesdhe nga ndotja, arsimi, kultura, zhvillimi i burimeve njerëzore, siguria e fëmijëve, terrorizmi dhe ekstremizmi, dialogu politik fetar e kulturor. Të gjithë këto me synimin madhor, paqen dhe stabilitetin, përmirësimin e mëtejshëm të jetës së qytetarëve të vendeve pjesëmarrëse", - tha zoti Berisha. “Unioni Mesdhetar, - tha Kryeministri Berisha, - ka krijuar fonde të mëdha financiare për të gjitha tematikat që u përcaktuan në këtë samit, ndërkohë që Shqipëria do të aplikojë dhe do të kontribuojë për këto projekte. Tani për tani, institucionalizimi, sipas deklaratës në këtë samit, është vendosur të finalizohet në nëntor të këtij viti në takimin ministerial të ministrave të Jashtëm. Burimet financiare janë të Bashkimit Evropian, të Bankës Botërore, të Bankës Afrikane për Zhvillim, të Bankës Evropiane të Investimeve dhe të një seri institucioneve dhe vendeve anëtare”, - tha Kryeministri.