E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi dekoron filantropistin Entoni Kordëll



Presidenti i Republikës, prof. dr. Bamir Topi, dekoroi dje paradite filantropistin e shquar dhe mikun e mbështetësin e Forumit për Demokraci dhe Etikë, Entoni Kordëll me “Medaljen e Mirënjohjes” gjatë një ceremonie të veçantë të zhvilluar në Presidencë ku ishin të ftuar ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z.Ylli Pango, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë si dhe drejtues e anëtarë të FDE-së. Pas nderimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit nga sekretari i përgjithshëm i Presidencës, z. Aleksandër Flloko, Presidenti i Republikës i dorëzoi Entoni Kordëllit “Medaljen e Mirënjohjes” me motivacionin: “Për veprimtari të vyer në promovimin e imazhit të Shqipërisë në botë, për vendosjen e lidhjeve të forta të bashkëpunimit me mjediset politike shqiptare duke punuar për ndërtimin e urave të komunikimit midis këtyre faktorëve politikë”. Z.Kordëll tha se ndihet 110% sikur është në shtëpinë e tij. “Marrëdhënia ime me ju dhe me Shqipërinë ka qenë një udhëtim interesant. Dhe ka pasur vetëm ngritje dhe nuk kam dyshim se kjo gjë do të vazhdojë, por unë jam i mbushur me shpresë, jo për ato që kam kaluar mes jush, por për ato që unë besoj e mendoj se do të ndodhin në të ardhmen. Do të bëj më të mirën që gjatë viteve në vazhdim, t’ju paraqes sa më mirë anembanë botës, jo sepse ju më dhatë këtë mesazh sot, por sepse mendoj se jeni njerëz të mrekullueshëm dhe vend i mrekullueshëm”, - u shpreh z.Kordëll.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›