PR-ja, kusht Berishës: Duam një ministri kryesore
Republikanët, ende pa një emër ministri
Zgjedhjet në PR, kontakte me popullin
Republikanët i vënë kushte Kryeministrit Sali Berisha për drejtimin e një prej ministrive kyçe në qeveri. PR-ja mblodhi dje kryesinë e cila vendosi t’i paraqesë z.Berisha kërkesën për t’u besuar republikanëve një nga 4 ministritë kryesore të kabinetit qeveritar. Gjithsesi, republikanët do të presin çfarë do t’u ofrojë Berisha, ndërkohë që ende nuk kanë përcaktuar emrin që do përfaqësojë PR-në në qeveri. Grupi i negociatorëve që ka nisur bisedimet me Kryeministrin Berisha javën e shkuar, informoi anëtarët e kryesisë për bisedën që është bërë mes dy palëve në raundin e parë të negociatave të nisura ditën e premte.
Negociatat
Do të jetë i njëjti grup negociatorësh, Mediu, Godo, Madhi dhe Alibali që do ulen sërish në tavolinën e bisedimeve me kreun e qeverisë, deri në arritjen e një formule të pranueshme nga të dyja palët. Dhe kjo në momentin e parë që do thirren nga z.Berisha, pasi republikanët ishin shprehur se kërkojnë një zgjidhje konkrete sapo Kryeministri të kthehej nga samiti i Francës. Gjithsesi, gjasat janë që brenda javës republikanët do marrin përgjigjen e Kryeministrit Berisha për vendin e rezervuar për ta. Pas mbledhjes së kryesisë së partisë, drejtuesit e aleates kryesore të PD-së, kanë vendosur që tratativat të intensifikohen në 4 ditët e ardhshme, duke mos lejuar tejkalim të afatit nga Berisha. Nga ana e tij vet shefi i qeverisë është shprehur i gatshëm për rikthimin e republikanëve në stafin e tij qeveritar duke u lënë të hapur mundësinë e drejtimit të një prej ministrive pas refuzimit që PR-ja i ka bërë postit të zëvendëskryeministrit. Kryesia i qëndron vendimit për të pranuar vetëm ministritë e barazvlefshme nga rëndësia me postin e lënë me datën 17 mars, kohë kur dha dorëheqjen Fatmir Mediu nga posti i ministrit të Mbrojtjes. Po dje, kryesia e PR-së diskutoi dhe për zgjedhjet e reja në nivel lokal. Asambletë e kësaj partie do të vijojnë sërish takimet me bazën ndërkohë që grupi i punës gjatë verës do të zhvillojë takime në të gjitha degët e PR-së në rrethe.