E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Objektivi i Shqipërisë, anëtarësimi në BE



Presidenti i Republikës, prof. dr. Bamir Topi, takoi dje Avokatin e Popullit të Danimarkës, Hans Gameltoft-Hansen, ku gjatë takimit me të vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe mes Shqipërisë dhe Danimarkës, duke nënvizuar rëndësinë e intensifikimit të mëtejshëm të tyre në fusha bashkëpunimi me interes të ndërsjellë. Zyra e shtypit pranë Presidentit bëri të ditur se gjatë takimit me Avokatin e Popullit të Danimarkës dhe delegacionin që e shoqëron gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë, z. Topi bëri një përshkrim të reformave të ndërmarra në vend, si ajo në fushën e drejtësisë dhe reforma zgjedhore, duke vënë në dukje përmbushjen e standardeve që mundësuan anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. “Objektivi ynë është integrimi në familjen e madhe evropiane”, - tha z. Topi. Presidenti vlerësoi bashkëpunimin e mirë mes zyrës së Avokatit tonë të Popullit dhe të Danimarkës për sa i përket shkëmbimit të përvojave dhe shprehu mirënjohjen për kontributin danez në mbështetje të Qendrës së të Drejtave të Njeriut dhe Rehabilitimit të të Mbijetuarve nga Tortura, duke siguruar njëkohësisht për mbështetjen e vazhdueshme nga ana e institucionit të Presidentit të Republikës. Pasi vuri në dukje ndryshimet pozitive në rajonin tonë, sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, z. Topi theksoi rolin e rëndësishëm e moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar për ruajtjen e paqes dhe qëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor. Avokati i Popullit të Danimarkës, z. Hans Gameltoft-Hansen, vlerësoi arritjet pozitive dhe bashkëpunimin e frytshëm me institucionin e Avokatit të Popullit të vendit tonë, duke i dhënë rëndësi ruajtjes dhe forcimit të pavarësisë së institucioneve dhe rritjes së bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe OJF-të.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›