E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gratë e PDK-së, 5 kërkesa për burrat e politikës



PDK-ja dhe Forumi i Gruas Demokristiane kërkojnë më shumë masa nga qeveria, Parlamenti dhe gjithë faktori politik shqiptar për zbatimin korrekt të ligjit për barazinë gjinore. Kryetarja e këtij forumi, Daniela Nika, këmbëngul për më shumë vëmendje nga politika dhe shoqëria për barazinë gjinore, sepse vetëm me garantimin e kësaj barazie shoqëria shqiptare mund të përfshihet nga procesi normal i zhvillimit dhe modernizimit. Ne, - tha ajo, - kërkojmë që gratë dhe vajzat të shihen si qytetare të barabarta me burrat dhe të drejtat e tyre legjitime të mos konsiderohen si një dhuratë që burrat u bëjnë grave. “Ne kërkojmë që grave t’u garantohet mbështetje më e madhe me infrastrukturë ndihmëse sociale në drejtim të rritjes dhe edukimit të fëmijëve, por edhe të asistencës për të moshuarit apo personat me aftësi të kufizuara”, - u shpreh znj.Nika. Kryetarja e FGD-së rendit një sërë kërkesash të tjera, ndër të cilat punësimi i grave dhe vajzave me qëllim fuqizimin ekonomik të tyre. Një tjetër kërkesë është më shumë vlerësim dhe njohje të kapaciteteve dhe vlerave të grave profesioniste në çdo fushë. Po ashtu dhe kontribut në ndryshimin sa më parë të mentalitetit patriarkal sipas të cilit diskriminimi i gruas shihet si një «mënyrë jetese». Në kushte të tilla, PDK-ja i bën thirrje politikës dhe shoqërisë shqiptare për të forcuar rolin e gruas në vendimmarrje dhe pjesëmarrjen e saj në jetën politike. Kjo jo vetëm nëpërmjet ndryshimeve në statutet partiake apo me ligjin zgjedhor, që pritet të miratohet, por mbi të gjitha me forcimin e mekanizmave institucionalë, si krijimi i një strategjie për barazinë gjinore, ligje më të rrepta për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe fushata të vazhdueshme informimi dhe sensibilizimi për rolin e gruas në politikë dhe në jetën publike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›