E Shtunë, 31 Tetor 2026

DY DOKUMENTE Të PANJOHURA PëR ARVANITëT DHE ROLIN E TYRE Në QëNDRESëN ANTIOSMANE

ARVANITËT NË NDESHJET E
PARA ME OSMANËT
Historia e arvanitëve, kësaj pjese të
popullsisë mesjetare shqiptare të shkulur
nga trungu i atdheut amë dhe vendosur
në territoret e Greqisë kontinentale e
ishullore, është fare pak e kërkuar dhe trajtuar
nga institucionet shkencore, apo studiues
të fushave të historisë. Brenda këtij
subjekti ka aq shumë vlera, sa mund të
thuhet me një vëmendje të qartë shkencore
se po të rrëmohet nëpër "këtë humus"
mund të dalin në dritën e diellit
shumë çështje të panjohura të së kaluarës,
evenimente të mbetura në errësirat shekullore,
personazhe të rëndësishme, të
harruara në anonimitet, të rizbulohen
dekada dhe shekuj të tërë të historisë së
Shqipërisë pa informacion, apo çështje
historike të dyshimta që duhen riformatuar.
KUR ZBRITËN DHE KU U
VENDOSËN
EMIGRANTËT SHQIPTARË?
Nuk mund të thuhet me ekzaktësi
kush dhe kur ishte emigrimi i parë i shqiptarëve
drejt territoreve të Greqisë, por
ajo që mund të thuhet me siguri janë dokumentet
që provojnë një nga zbritjet
masive të tyre në fillim të shekullit të XIII.
(2) (Longnon, Jean; "Chronique de More",
ap. 6, 803). Flasim për emigrimet e kësaj
kohe, pasi të paktën në këtë shekull
gjenden evidencat dokumentare që pasqyrojnë
qartas valët e mëdha emigratore,
rrethanat e largimit të tyre, afërsisht numrin
dhe masivitetin e zbritjeve, prijësit e
fiseve shqiptare që udhëhiqnin këto emigrime,
vendet prej nga ata largoheshin,
territoret ku ata nguleshin, rregullimi ligjor
- dekretet perandorake bizantine që
lejonte dhe ofronte territoret e vendosjes
së tyre.
Pas valëve të para emigratore, në
fillimin e shekullit XIV (1333), është historiani
bizantin Kantakuzino që na bën të
njohur se nën Perandorin Andronik III Paleologu,
grupe të tjera masive shqiptarësh
vazhduan të vijojnë paqësisht nëpër territoret
e Greqisë. (3)(Cantacusino, Joan;
Chronique, lib. III, f. 239).
Ata u vendosën kryesisht në zona dhe
terrene, që administrata bizantine i konsideronte
me interes dhe rëndësi ushtarake;
në afërsi apo përreth kështjellave, të
cilat ruanin pika vitale të territoreve të Bizantit,
në "dervenohoria" - vendkalime
apo linja urbane me rëndësi strategjikoekonomike,
në territore dhe terrene të
braktisura dhe të mbetura djerrë, të
shpopulluara masivisht për shkak të
luftërave të njëpasnjëshme dhe epidemive
të njohura të kohëve.
Dokumentacioni bizantin i kohës na
bën të njohur stacionimet e tyre të para,
territoret e dhuruara me dekrete perandorake
dhe vendbanimet e reja të krijuara
prej tyre në krahinat e Thesalisë, Beotisë,
Atikës, Peloponezit, Argolidhës, Korinthit,
Manit, në ishujt e Egjeut, Poros,
Specia, Eube e deri në Qiklade.
BANORËT E RINJ
NGRENË VENDBANIMET E
REJA
Këta emigrantë bëheshin kështu, në
shekullin e 13 dhe të 14, banorët e rinj të
territoreve të Greqisë mesjetare, duke krijuar
vendbanimet e reja, fillimisht të
varfra të thirrura "katun", të cilat i pagëzonin
me:
- të njëjtët emra si të vendbanimeve të
tyre të lëna pas në atdheun amë, të tillë si
Mallakasa (shih Mallakastra); Avlona (shih
Vlora); Kuçi (shih Kuçi) etj.
- me emrat e prijësve të tyre të njohur
Bua, (Gjin Bua Shpata) Malakasi Gjon
Mallkasi), Losha (Pjetër Liosha), Spata,
Meksi, Barbati, Lopsi etj.
- me emra shqip Pusi Thatë, Kroiza,
Bardhuna, Mandra, Vatha, Kryekuqi,
Kukleshi, Kuqi, Kapandriti etj.
Kjo farë aktive populloi masivisht
pjesën dërrmuese të territoreve të Greqisë,
sa aty nga mesi i shekullit XIV vetëm
në Peloponez ata përbënin një të tretën e
popullsisë së këtij vendi. (4) Beldicenau;
Recherches, 37, F II, 543.
Ata iu përveshën menjëherë aktivisht
punëve në bujqësi dhe blegtori, duke
transformuar shumë shpejt tokat e lëna
djerrë dhe terrenet shterpë. Është pikërisht
për shkak të shqiptarëve që ekonomia
e këtyre anëve shfaqi një rritje të
ndjeshme të prodhimit dhe lulëzimit të
vendit.(5) Right, Diana; "Bartolomeo Minio",
127.
NJË DOKUMENT I RRALLË
NDËRSA MYNXYRA OSMANE
KËRCËNON
Aty nga fundi i shekullit XIV, fillim i
shekullit XV, në territoret e Ballkanit jugor,
pra edhe ato greke, përherë e më shumë
filluan të shfaqen dhe të jenë të pranishme
repartet osmane. Herë të thirrur për
aleanca nga despotët vendas, që për vite
me radhë ishin në konflikte me njëritjetrin
dhe herë në inkursione të shkurtra
kalimtare, ata duket se po bëheshin
përherë e më kërcënues.
Destabiliteti politik, i shkaktuar nga
grindjet dhe luftërat e vazhdueshme të
despotëve, i kishte rrënuar përherë e më
shumë territoret greke. Veçanërisht situata
ishte dëshpëruese në Peloponez. Por,
edhe këtu, tanimë, elementi shqiptar ishte
bërë një faktor i rëndësishëm dhe pse
jo fatvendosës.
Krahas aftësive të tyre në kultivimin
dhe transformimin e territoreve, punëve
në bujqësi e blegtori, shqiptarët ishin dalluar
edhe për aftësitë e tyre të shquara
luftarake në mjaft fronte betejash. Ishte
ky shkaku që venecianët, të cilët zotëronin
një numër kështjellash bregdetare në
këto anë, i kishin mobilizuar ata si "stratiotë"
(luftëtarë profesionistë) dhe ishin
aktivizuar në mënyrë të suksesshme në
disa fronte luftërash.
Në këto kohë grindjesh dhe konfliktesh
të rënda me pasoja për fatet e Greqisë,
tanimë të kërcënuar edhe nga fuqia
osmane, vetë Perandori i Bizantit, Manuel
Paleologu, vjen më 30 maj të vitit 1415 në
Peloponez. Duke njohur mirë rolin e rëndësishëm
që mund të luanin shqiptarët, për
fatet e atyre anëve dhe të vetë Perandorisë
në tërësi, ai u është drejtuar pikërisht atyre
me një thirrje tepër interesante, e cila
synonte të ngacmonte dhe të nxiste sedrat
e tyre.
Ky dokument unik, i cili përmbledh
ligjëratën e Paleologut drejtuar shqiptarëve,
ruhet në arkivin historik të
Uashingtonit dhe ndër të tjera nënvizon:
"Para së gjithash, të gjithë ata burra, që
kanë një karakter të lartë dhe karakterizohen
nga mençuria… fuqimisht miratojnë
idenë se nuk duhet lënë vetvetja preh e vazhdueshme
në duart dhe dhëmbët e armiqve.
Të gjithë shqiptarët kudo që janë, pa përjashtim
mendojnë dhe thonë të njëjtën gjë!" (6)
(CFHB - 8. George T. Denis, editor and
translator, Washington DC)
Duke parë kontributet e veçanta dhe
rolin vendimtar të shqiptarëve në frontet
e luftërave, kundër hordhive osmane, ky
Perandor pak vite më vonë do të bënte
edhe një gjest tjetër të çuditshëm publik,
për të tërhequr pas vetes këtë farë vitale
në frontet e përgjakshme të luftërave
kundër invazionit të papërmbajtur osman.
Për t‘i mikluar, për t‘i nxitur, por edhe
për të nderuar kontributin e tyre të qëndresës,
Paleologu ndërroi emrin nga
Manuil në Gjin dhe e shoqja nga Maria në
Kuca; dy emra arbërorë këta, që ato kohë
ishin mjaft të përhapur në radhët e shqiptarëve.(7) Mpiris, Kosta: "Arvanites I dori
tou neoteru elenismou", 186).
ARVANITËT DHE
VENEDIKASIT
Vlerat dhe aftësitë e rralla për luftë të
shqiptarëve nuk i pikasën vetëm hierarkët
bizantinë. Edhe venecianët i dalluan
shumë shpejt këto vlera të tyre. Në shekullin
XIV, ata kishin arritur të shtinin në
dorë dhe zotëronin disa qytete-kështjella,
bashkë me feudet përreth tyre, në
bregdetin e Greqisë, të tilla si Koronin,
Argosin, Nafplion, Methonin etj.
Por, invazioni osman i territoreve të
Ballkanit jugor filloi t‘u avitej dhe të
kërcënonte edhe këto zotërime. Aty nga
mesi i shekullit XV, forcat dhe repartet e
zgjedhura turke përfundimisht goditën
këto kështjella, por venecianët pak më
parë kishin thërritur në shërbim të tyre
luftëtarë shqiptarë që banonin në këto
anë. Betejat mes tyre vazhduan për disa
vite me radhë, por turqit, ndërsa avanconin
në pushtimet e tyre, nëpër dimensionet
e tjera gjeografike, nuk arritën dot të
thyejnë qëndresën e organizuar të venedikasve,
të cilët kishin tërhequr në aleancën
e tyre edhe shqiptarët, në
mbrojtjen e këtyre fortesave.
Ndërkohë, ekspansioni osman zgjerohej
në drejtim të veriut, duke shtënë në
dorë njërën pas tjetrës territoret dhe krahinat
e Greqisë, Arbërisë, Bosnjës, Serbisë,
bregdetin Dalmat, duke iu afruar kështu
kufijve tokësorë të vetë Republikës së
Venedikut. Duke ndjerë rrezikun fare
pranë portave të Venecias, Senati venedikas,
në mars të vitit 1478, i kërkoi Stambollit
mundësinë e nënshkrimit të një
Traktati Paqeje. (8) Dispattcio, Zuan Dario,
83,76. arch. Carer.Venecia.
Kërkesa latine u pranua dhe të dyja
palët dërguan përfaqësuesit e tyre për
nënshkrimin e traktatit në fjalë. Padyshim
që kjo marrëveshje plotësonte një numër
kërkesash dhe orekset e pangopura osmane.
Venecianët, përmes këtij traktati,
pranonin t‘u lëshonin osmanëve disa nga
zotërimet e tyre në Greqi dhe më gjerë, në
Shqipëri e gjetkë. Duke siguruar përmes
këtyre lëshimeve në kurriz të shqiptarëve,
dalmatëve, grekëve etj., garancinë për
Republikën e tyre.
NJË DOKUMENT
INTERESANT
VENECIAN QË ZBULON
PAZARET
NË KURRIZ TË
SHQIPTARËVE
Për të zbatuar në terren vendimet e
Traktatit të Paqes mes dy fuqive, përfaqësuesit
turq u takuan me ata venecianë në
terrenet në afërsi të Argosit, në More
(Peloponez). Palën veneciane e përfaqësonte
Batolomeo Minio - proveditor i Nafplios
dhe palën turke Sulejman Beu.
Ndërsa palët ishin takuar për të biseduar
nga afër për problemet e ndarjes
konkrete të kufijve. Është interesant të
bëjmë të njohur një informacionin, relacionin
e përpiluar me këtë rast nga përfaqësuesi
venecian Batolomeo Minio,
përmes të cilit ai njoftonte Senatin.

Vijon



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›