E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Bojkoti? Një ide e gabuar e PS-së

Kryeministri Berisha i bëri thirrje dje kryetarit të PS-së, Edi Rama, që të lërë mënjanë hidhërimin e humbjes së zgjedhjeve dhe të pranojë rezultatin e dalë nga 28 qershori. Ai deklaroi se PD në zgjedhjet lokale do të futet në një koalicion më të gjerë, duke nënkuptuar edhe LSI-në, bashkë me 17 parti të tjera. Kreu i PD-së, tashmë i rikonfirmuar në mandatin e tij të dytë qeverisës, deklaroi se bojkoti i Kuvendit nuk është rruga e duhur për opozitën. Gjithashtu ai vlerësoi si një lëvizje të pamenduar mirë idenë e realizimit të zgjedhjeve të parakohshme, duke theksuar se ai ka besimin e shqiptarëve dhe sa herë të hyjë në zgjedhje të lira, qoftë dhe çdo katër muaj, ai është fitues. Kreu i qeverisë ka vlerësuar si një arritje të madhe për demokracinë në vend realizimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, ndaj i ka bërë thirrje kryetarit të PS-së, Edi Rama, që të bashkëpunojë me të për realizimin e reformave të mëdha në vend, reforma të cilat do ta çojnë para Shqipërinë, drejt familjes së madhe të BE-së. "Ftoj opozitën të dalë nga sindroma e hidhërimit dhe trishtimit që krijon humbja, dhe të vendosë urat e bashkëpunimit në interesin më të mirë të pluralizmit dhe vendit", nënvizoi Kryeministri Berisha. Ai garantoi kreun e opozitës se do të qëndrojë i vendosur në frymën e kompromiseve dhe të bashkëpunimit për të proceduar në realizimin e reformave të thella në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë. Berisha tha se "e garantoj Ramën që mbetem vlerësues për kontributin e saj, pasi katër vitet që vijnë janë vitet historike për Shqipërinë. Janë vitet që do ta përgatisim këtë vend për verdiktin final. Janë vitet në të cilat ne duhet të bëjmë që Shqipëria të mbetet vend lider për investimet e huaja në rajon". Gjatë konferencës për shtyp, Berisha vlerësoi KQZ-në për punën e mirë që ka bërë, duke dëshmuar kështu, theksoi ai, se është një institucion i pavarur dhe që ka ushtruar funksionin e tij në përputhje të plotë me ligjin. "Për herë të parë në historinë e pluralizmit, zgjedhjet në Shqipëri certifikohen nga KQZ-ja me unanimitet të plotë me 7 vota, por dhe asnjë kundër", vlerësoi Berisha. Gjithashtu ai shprehu mirënjohjen më të thellë të gjithë shqiptarëve që votuan alternativën e PD-së në zgjedhjet e 28 qershorit, duke i besuar projektit të servirur nga koalicioni "Aleanca për Ndryshim", çka sipas tij i dha një shtysë pozitive projektit më ambicioz për Shqipërinë europiane. Sakaq, kreu i qeverisë, Berisha, ka premtuar edhe njëherë se gjatë këtyre viteve ai do të vërë në zbatim të gjitha premtimet që ka bërë gjatë fushatës elektorale, duke hapur më shumë vende pune, duke përfunduar projektet e mëdha të infrastrukturës, duke zgjidhur përfundimisht furnizimin me ujë të pijshme dhe duke mbajtur premtimin e madh të heqjes së vizave me BE-në brenda vitit të parë të qeverisë së dytë. Këto premtime do të bëhen realitet, theksoi Berisha, ashtu siç ndodhi me premtimin e dhënë katër vjet më parë, për pajisjen e shtetasve me kartat e identitetit dhe për hartimin e regjistrit themeltar. Berisha vlerësoi koalicionin e ri që ai do të drejtojë bashkë me LSI-në, duke theksuar se ai do të jetë një koalicion shumë i mirë dhe efikas. Shqiptarët, tha Berisha, do të vënë re gjatë këtij bashkëpunimi gjuhën e kompromisit që PD-ja dhe LSI-ja kanë gjetur me njëra-tjetrën, pavarësisht se në programet e tyre ka dhe çështje për cilat nuk ndahet i njëjti mendim.

Berisha:

Garantojmë përmbushjen

e standardeve integruese

Kreu i qeverisë, Sali Berisha, vlerësoi dje deklaratën e bërë nga Këshilli i Ministrave të BE-së, të cilët konfirmojnë se janë të gatshëm të shqyrtojnë kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat. Para mediave, Berisha tha se "kjo deklaratë është një inkurajim i madh për aspiratën tonë në drejtim të statusit të vendit kandidat dhe shfrytëzoj rastin për të siguruar ministrat e Jashtëm dhe qeveritë e vendeve anëtare të BE-së, se për qeverinë time plotësimi i kritereve është përparësi kryesore". Unë, tha Berisha, mbetem optimist dhe kam kërkuar një proces i cili duhet të bazohet tërësisht mbi performancën e qeverisë shqiptare. Gjithashtu ai i ka garantuar qytetarët shqiptarë se do të procedohet me të gjitha reformat që mundësojnë shpejtimin e anëtarësimit të Shqipërisë drejt familjes së madhe të BE-së. Gjatë këtyre katër viteve, tha Berisha, do të mundësojmë realizimin e të gjitha detyrimeve të vëna nga BE-ja, por edhe premtimeve të bëra para shqiptarëve gjatë fushatës elektorale. Premtoj, tha Berisha, se gjatë vitit të parë të këtij mandati do të vendoset liberalizimi i vizave për shqiptarët me BE-në. Ky premtim tashmë është i ripërsëritur nga Kryeministri Berisha dhe ministrat e tij.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›