Patozi: Pretendimet e Ramës për parregullsi janë alibi
Partia Demokratike, nëpërmjet nënkryetarit të saj, Astrit Patozi, ka deklaruar se pretendimet e Edi Ramës për parregullsi në zgjedhje janë thjesht një alibi për të shmangur përgjegjësitë e tij për humbjen e socialistëve në zgjedhjet e 28 qershorit. Gjatë deklaratës së tij për shtyp, Patozi ka theksuar se "do t‘u japim shqiptarëve një provë të rëndësishme për të faktuar atë që kemi thënë gjatë këtyre ditëve". Nënkryetari i PD-së ka theksuar se kryetari i PS-së, Edi Rama, me Beratin dhe shpërndarjen e mandateve të këtij qarku, është munduar të hedhë baltë mbi procesin zgjedhor. Por, tha nënkryetari i PD-së, për fatin e keq të Ramës, në këtë qark fshihet një e vërtetë tjetër, e cila tashmë është faktuar me materiale konkrete. Duke bërë publike këto fakte, Patozi deklaroi dje se, "duke dashur të gjejë gjilpërën në kashtë, PS-ja i ka kërkuar KQZ-së që t‘i vërë në dispozicion kasetat filmike të Beratit dhe ky i fundit i është përgjigjur me shumë korrektesë. Por, pasi ka marrë disa prej tyre deri më datën 10 korrik, dhe nuk ka gjetur asnjë fije ku të kapej, sepse gjithçka ka qenë konform ligjit, Edi Rama ka hequr dorë dhe nuk i ka dërguar më njerëzit e tij për të tërhequr kasetat e tjera". Nëpërmjet këtyre fakteve, është shprehur nënkryetari i PD-së, ne ju saktësojmë edhe njëherë shqiptarëve përpjekjen e dëshpëruar të socialistëve dhe konkretisht të kryetarit Rama për të gjetur parregullsi në zgjedhjet e 28 qershorit. Duke paraqitur këtë provë, që për demokratët duket se është e rëndësishme, Patozi ka theksuar se ata ju provojnë gjithë qytetarëve shqiptarë, faktorit ndërkombëtar dhe vetë socialistëve, që thirrjet e Ramës për parregullsi në zgjedhje janë thjesht thirrje të shtirura dhe mashtruese. Rama, tha Patozi, po përpiqet t‘u mbushë mendjen të tijve dhe shqiptarëve se nuk është ai i munduri i madh i zgjedhjeve të 28 qershorit. "Këto fakte të reja që ne publikojmë sot, flasin qartë se gjithë fushata e tij e pareshtur e shpifjeve paszgjedhore është thjesht justifikimi i dëshpëruar i fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia për humbjen e PS-së në këto zgjedhje", është shprehur Patozi. Pas zgjedhjeve të 28 qershorit, PS-ja dhe PD-ja kanë replikuar ashpër me njëra-tjetrën në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve në disa qarqe të caktuara. Opozita ka ngritur pretendimet se në Qarkun e Beratin, Tiranë e Shkodër, PD-ja në bashkëpunim me KQZ-në ju kanë marrë mandatet e deputetëve. PS-ja ka kërkuar që t‘u kthehen këto mandate, se ndryshe ata nuk do ta njohin rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit.