Mbyllen zyrtarisht zgjedhjet, KQZ shpalli 140 mandatet
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përfundoi dje procesin e shpalljes së 140 mandateve, ndërsa ditën e shtunë do të certifikohet rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të 28 qershorit. Anëtarët e Komisionit Qendror, me një votim 7 me 0, shpallën dje 59 mandatet e fundit për Qarkun e Tiranës, Fierit dhe Shkodrës. Por procesi i ankimimit nuk merr fund në këtë moment. Partitë politike kanë ende pesë ditë kohë për të ankimuar në Kolegjin Zgjedhor vendimin e KQZ-së për mënyrën se si janë ndarë mandatet. Kjo është arsyeja përse KQZ shtyu për në fundjavë shpalljen e rezultatit përfundimtar. Sipas rezultatit paraprak, koalicioni i djathtë i kryesuar nga PD ka marrë 70 mandate, koalicioni i majtë i kryesuar nga PS ka marrë 66 mandate dhe koalicioni i LSI-së ka marrë 4 mandate. Sipas vendimeve për Qarkun e Tiranës, 32 mandatet e qarkut më të madh të vendit ndahen në 16 mandate për koalicionin e djathtë "Aleanca e ndryshimit", drejtuar nga PD, 15 mandate për koalicionin "Bashkimi për ndryshim", drejtuar nga PS dhe 1 mandat për koalicionin "Aleanca Socialiste për Integrim", kryesuar nga LSI. Me vendimin për këtë qark u ligjërua mandati për Kryeministrin Sali Berisha, kreun e LSI-së, Ilir Meta, dhe kreun e PR-së, Fatmir Mediu. Sa i përket Fierit, u shpallën 16 mandate që ndahen në 6 mandate për koalicionin "Aleanca e Ndryshimit", 9 mandate për koalicionin "Bashkimi për Ndryshim" dhe 1 mandat për koalicionin "Aleanca Socialiste për Integrim". Sipas vendimit, të 11 mandatet e Qarkut të Shkodrës ndahen 7 për koalicionin e djathtë "Aleanca e ndryshimit" dhe 4 për koalicionin e majtë "Bashkimi për ndryshim". Në këtë mënyrë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve arrin që të shpallë rezultatin zgjedhor 32 ditë pas zhvillimit të tyre. Ndërsa nuk arriti që të shpallte rezultatin paraprak pasditen e 29 qershorit, për shkak të vonesave që u vunë re gjatë procesit të numërimit të votave. Për rreth tri javë, Komisioni Qendror i Zgjedhje dhe më pas Kolegji Zgjedhor shqyrtoi një sërë ankimimesh të subjekteve politike. Qarku më i kontestuar është ai i Fierit, ku fillimisht ankimoi PS për numërimin e 9 kutive të bllokuara, shoqëruar më pas me një ankimim të PD për tre kuti. I njëjti ankimim u dorëzuara dhe nga PDI. PD ankimoi sërish Qarkun e Fierit për tre qendrat ku nuk u votua. Të njëjtin ankimim bëri edhe PDI, duke kërkuar shpalljen të pavlefshme të të gjitha kutive që u numëruan në KQZ. Pas Fierit, qarqet e Tiranës, Shkodrës dhe Beratit janë kontestuar nga tre subjekte politike. Rezultati i zgjedhjeve në Tiranë u ankimua nga Partia Socialiste, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar dhe Partia për të Drejtat e Njeriut, duke kërkuar rinumërim dhe rivlerësim të votave për qendra të ndryshme votimi. Rezultati i Qarkut të Shkodrës u ankimua nga Partia Demokratike, Partia Socialiste dhe Partia Demokristiane me të njëjtin objekt kërkese ankimore. Ndërsa Qarku i Berati u ankimua nga PS, G99 dhe PR, por kërkesa e kësaj të fundit u tërhoq pak minuta para se të fillonte mbledhja e KQZ-së. Një ankimim pati edhe për Qarkun e Lezhës nga ana e Partisë Demokratike, e cila kërkoi që rezultati i 11 kutive të këtij qarku të përfshihej në tabelën përfundimtare, kërkesë e cila u pranua. Pesë qarqe u ankimuan edhe në Kolegjin Zgjedhor, i cili shprehu vendimmarrjen e tij brenda një jave, duke i shqyrtuar me radhë të gjitha kërkesë-paditë. Tanimë, procesi zgjedhor ndodhet në hapin e fundit të tij. Pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shpallë rezultatin përfundimtar, duke certifikuar fituesit, nisin negociatat për krijimin e qeverisë së re.