E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy aksidente, një i vdekur dhe tre të plagosur

Dy aksidente të rënda janë regjistruar mbrëmjen e së dielës në Rrethin e Lushnjës. Pa kaluar as disa orë nga aksidenti në rrugën nacionale Fier-Vlorë, ku katër persona mbetën të lënduar, një tjetër ngjarje e rëndë rrugore ka ndodhur në autostradën Lushnjë-Rrogozhinë. Ngjarja rrugore ka ndodhur rreth orës 22:00 të mbrëmjes së diel, në afërsi të Rotondos, së Dushkut. Mësohet se 47-vjeçari Hasan Zaçe ka qenë duke drejtuar automjetin e tipit "Toyota", me targa TR9002P. Në afërsi të Dushkut, 47-vjeçari, duke drejtuar mjetin me shpejtësi të madhe, nuk ka vënë re një kalimtare, e cila po kalonte trafik ndarësin për në krahun e djathtë të rrugës. Ai ka përplasur me makinë 21-vjeçaren, duke i shkaktuar asaj vdekjen e menjëhershme. Persona të rastësishëm kanë ndërhyrë dhe kanë njohur menjëherë të renë, e cila ishte banore e Dushkut dhe quhej Zamira Mita. Ajo kishte qenë në një dyqan të fshatit dhe kthehej për në shtëpi, por nuk ka mundur, pasi është përplasur për vdekje nga makina e tipit "Toyota". Burimet policore të Komisariatit të Lushnjës bëjnë të ditur se në orën 01:00 pas mesnate është bërë edhe arrestimi i drejtuesit, Hasan Zaçe. 47-vjeçari Zaçe, banues në Tiranë, është arrestuar nën akuzën e "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor".

Ndërkohë që një tjetër aksident ka ndodhur po mbrëmjen e kaluar në Lushnjë, ku për pasojë tre persona kanë mbetur të plagosur. Ngjarja ka ndodhur në rrugën automobilistike Çermë-Divjakë, rreth orës 23:00 të së dielës, ku një makinë është përplasur me një karrocë dhe për pasojë tre persona kanë mbetur të plagosur rëndë. Automjeti i tipit "Wolksvagenin"me targa LU3617B, ka qenë duke udhëtuar nga Divjaka për në drejtim të Lushnjës. Shpejtësia e madhe dhe mungesa e ndriçimit në rrugë ka bërë që automjeti i cili drejtohej nga shtetasi Zenun Feti të përplasej me një karrocë ku udhëtonin babai dhe djali, përkatësisht 50-vjeçari me inicialet XH.H., dhe djali i tij 14-vjeçar me inicialet K.H. Përplasja ka qenë e fortë dhe mjeti është dëmtuar edhe nga një pjesë tuboje e karrocës, pikërisht nga tuboja ku lidhej kali.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›