Pesimist për Kosovën

Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Michael Spindelegger, nuk duket të jetë optimistë për integrimin e shpejtë të Kosovës në strukturat e Bashkimit Europian.
Sipas mediave austriake, Spindelegger ka paralajmëruar fillimin e një nisme për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, por në këtë nismë nuk është prioritet edhe integrimi i Kosovës.
Ky plan, sipas tij, është paraqitur tashmë në Bruksel.
Ministrit Michael Spindelegger ka shprehur bindjen e tij të plotë se në vitin 2020, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Shqipëria do të jenë anëtare me të drejta të plota të Bashkimit Europian.
Në lidhje me Kosovën, Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë ka qenë më i kujdesshëm.
“Është e nevojshme që të ndodhin mjaft gjëra atje”, ka thënë ai, gjatë një debati televiziv.
Michael Spindelegger sqaroi se së pari është e domosdoshme që të gjitha vendet e Bashkimit Europian ta njohin pavarësinë e Kosovës.
“Kosova ende nuk është njohur nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian. Kjo paraqet pengesë për integrimin e Kosovës në Bashkimin Europian”, sqaroi ai.
Spindelegger, po ashtu ka thënë se shpreson që negociatat për hyrjen në Bashkimin Europian të Kroacisë do të përfundojnë gjatë këtij viti. Sipas tij, bllokada që iu shkaktua Zagrebit në rrugën europiane është rezultat i konfliktit kufitar që ka pasur Kroacia me Slloveninë dhe i cili përfundoi në fund të vitit 2009.
Kosova ende nuk është njohur nga pesë shtete anëtare të Bashkimit Europian, si Spanja, Sllovakia, Greqia, Qiproja dhe Rumania. Përfaqësuesit e këtyre vendeve, në prononcimet dhënë mediave, vazhdimisht e kanë potencuar qëndrimin kundër pavarësisë së Kosovës, me arsyetimin se njohja e Kosovës do të ishte precedent i rrezikshëm.