Berisha: Boshti Qendror i Jugut do të jetë projekti më madhor i mandatit të dytë të qeverisë time

Ne vijim të turit të përurimeve të disa veprave publike në rrethin e Beratit, Kryeministri Berisha inauguroi sot përfundimin e urës së re të Gorricës investim i qeverisë me vlerë 200 milionë lekë. Ura me gjatësi 220 m dhe gjerësi 22 m, dhe që përbën veprën e parë për Boshtin Qendror të Jugut, është ndërtuar sipas parametrave bashkëkohore, me katër korsi dhe me trotuare. Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë e madhe që ky premtim u shndërrua në realitet brenda një kohe të shkurtër. Duke iu referuar investimeve në rrethin e Beratit, Kryeministri Berisha tha se çdo banor i këtij rrethi kur bën analizën e tij del në përfundimin se “Berati po ndryshon” por theksoi se ndryshimin më të madh ky rreth do ta ketë me ndërtimin e Boshtit Qendror të Jugut. Kryeministri shprehu vendosmërinë dhe angazhimin e qeverisë për nisjen e Boshtit Qendror të Jugut brenda këtij viti, duke e cilësuar atë si projektin më madhor të mandatit të dytë të qeverisë së tij.
Gjatë takimit me banorë të Beratit Kryeministri Berisha u shpreh:
Është një nder i veçantë për mua të ndaj me ju sot gëzimin e inaugurimit të urës së re të Gorricës, të cilën ju qytetarët e Beratit e keni pritur me padurim prej shumë e shumë vitesh. Kam kënaqësi të madhe që këtë premtim e shndërruam në realitet për këtë qytet të mrekullueshëm dhe qytetarët e tij. Dua të falënderoj kompaninë Salillari dhe presidentin e saj për punën me përkushtim që ka bërë për ndërtimin e kësaj vepre jetike për funksionimin e qytetit tuaj si dhe për përfundimin e saj para afatit.
Unë sapo inaugurova fillimin e punimeve për rrugën hyrëse të qytetit investim prej mbi 5 milionë euro ndërsa 2 milionë euro është investimi në këtë urë. Së bashku pak muaj më parë festuam shpalljen e Beratit trashëgimi kulturore botërore. Unë jam i bindur se çdo qytetar i Beratit kur ndalet dhe analizon këto zhvillime në qytetin e tij fjala e parë që i vjen ndërmend është se; “Berati po ndryshon”. Se sot Berati është pasuri e mbarë njerëzimit. Berati po ndryshon dhe do të ketë një hyrje të re moderne , Berati po ndryshon sepse të dy pjesët e tij lidhen me një urë nga më të bukurat, Berati po ndryshon se në komunat e tij po asfaltohen rrugët po ndërtohen shkolla të reja ujësjellës, por Berati është në fillimin e ndryshimit pasi ndryshimet e mëdha Berati do t`i ketë me ndërtimin e Boshtit Qendror të Jugut. Jam këtu sot për t`ju dhënë fjalën se Boshti Qendror i Jugut do të fillojë ndërtimin që këtë vit dhe se ky do të jetë projekti më madhor i mandatit të dytë të qeverisë sime.
Boshti Qendror i Jugut e shndërron Beratin ashtu siç e kanë ndërtuar gjyshërit dhe të parët tuaj, në një nga epiqendrat e fuqishme të zhvillimit të vendit. Boshit Qendror i Jugut afron Beratin, Tepelenën, Sarandën dhe Gjirokastrën rreth 70 km me Tiranën. Ndërtimi i tij do të nisë gjatë vitit 2009, por ne nuk mendojmë vetëm për Beratin dhe qendrën e tij apo autostradat dhe akset kombëtare, ne po mendojmë për çdo rrugë dhe rrugicë të këtij vendi. Tani sapo inaugurova një rrugë në Poshnje dhe shumë rrugë të tjera që janë në ndërtim e sipër në Poshnje, Kutalli, Cukallat, Lapardha dhe së shpejti po këtë vit do të nisë ndërtimin rruga e Bogovës dhe rruga e kanioneve dy rrugë të rëndësishme turistike jo vetëm për Beratin, por për mbarë Shqipërinë. Berati u bë bukuria e mbarë njerëzimit në këtë mënyrë dhe së bashku me Shqipërinë me dinjitet të madh më 3 prill bëhen anëtarë me të drejta të plota në NATO, realizojmë kështu një nga projektet më të mëdha në historinë tonë kombëtare. Berati do të ketë universitetin e tij të merituar.
Një projekt tjetër i madh ku Berati do të jetë një nga qarqet më kryesore është projekti i ullirit. Qeveria ime ka zgjedhur pas Boshtit të Jugut si projektin e dytë më të madh kombëtar mbjelljen e 20 milionë rrënjëve ullinj të reja. Ne do ta bëjmë këtë sepse ne shkojmë drejt integrimit evropian dhe nëse ka një prodhim nevoja për të cilin ndoshta nuk do të plotësohet dhe që do të ketë gjithmonë një treg të madh do të jetë ulliri dhe produktet e tij. Ndaj dhe ne kemi nisur punën. Berati dhe komunat e tij janë një nga epiqendrat kryesore të prodhimit të ullirit dhe ne llogarisim që të jetë epiqendra më kryesore e projektit të madh kombëtar.
Të dashur qytetarë dhe qytetare të Beratit!
Javët e fundit kryetari i Partisë Socialiste ka vendosur prapa shpinës së tij fjalën ndryshim. Dua ta falënderoj, por problemi qëndron se ky ndryshim është ura për Beratin, ndryshim është Berati, trashëgimia botërore, është hyrja madhështore e Beratit që po ndërtohet, ndryshim është Boshti i Jugut. Ndryshim janë shkollat e reja, rrugët që asfaltohen, ujësjellësit që ndërtohen, kanalizimet që sistemohen, nuk janë mashtrimet që kryetari i Partisë Socialiste bën. Ai e ka konceptuar ndryshimin si mashtrim dhe sharje . Nga këtu dua t`i them se ‘ndryshimi i tij’ ka fatin e brymës në gjethen e një peme që e shkrijnë rrezet e para të diellit. Dhe ndryshimi i ynë do ta shkrijnë që në orët e para të mëngjesit ‘ndryshimin e tij’ dhe do ta nxjerrë zotin Rama ashtu siç del ai vetë. Duke e mbyllur këtë fjalë dua t`ju them se sot është një ditë e veçantë, është 14 shkurti, dita e dashurisë së njeriut. Unë shfrytëzoj rastin t`i uroj qytetarët e Beratit dhe të gjithë qytetarët shqiptarë për këtë ditë të virtytit dhe dhuntisë së njeriut që e bën atë dhe shoqërinë më njerëzore, më të bukur, më të fortë, më shpresëdhënëse se të gjitha të tjerat. Ju uroj të gjithëve dashuri për mikun e mikeshën e vet, për bashkëshortin, bashkëshorten, për të dashurin për të dashurën. Uroj këtë vit dashuri për ju dhe për mbarë shqiptarët. Ju falënderoj dhe ju siguroj se premtimet e mia do të realizohen një për një.
...