Evropa, Shqipëria dhe pirja e duhanit në vitin 2014
Evropa
(Europe, Jevropa, Avrupa) - Bashkësi shtetesh mes Azisë, Afrikës dhe Shteteve të Vogla të Bashkuara të Amerikës, hapësira territoriale gjatë verës: 30 milionë, dimrit 35 milionë kilometra katrorë, numri i popullsisë: 601 milionë, prej tyre kombe të mëdha janë: 150 milionë rusë, 80 milionë gjermanë, 50 milionë francezë dhe algjerianë, 40 milionë britanikë dhe indianë, 53 milionë irlandezë (pas rritjes marramendëse të popullsisë), 150 milionë turq, prej tyre 46 milionë kurdë, romë dhe sintë si dhe 30 milionë shqiptarë. Forma shtetërore: konfederatë mbretërore-republikane, anëtarë të asociuar: Sulltanati Demokratik i Afganistanit, Territori Mandator zviceran i Palestinës dhe Republika Liberale Sovjetike e Izraelit.
Ndërtimi
Evropa e sotme u krijua si rezultat i Kartës së Gjibraltarit (2010), e cila integrimin e shpalli të drejtë njerëzore për të gjithë popujt që banojnë në kontinentin e vjetër. Pas rithemelimit të organeve udhëheqëse në Jekaterinburg (2011) rusishtja u bë, krahas anglishtes, gjuhë kryesore, derisa esperantoja shërben vetëm për qëllime diplomatike. Konstelacioni i shteteve përkatëse anëtare dhe i vendeve të asociuara ruan, në kuadër të rendit themelor liberal -demokratik, formën burimore të koloritit. Kështu Hungaria është Mbretëri, Zvicra Besëlidhje (Konfederatë), kantoni Jura zonë tregtare pa doganë. Disa parlamente - si Riksdagu suedez apo Cortezi katalon – janë të obliguara me kushtetutë, që për anëtarësinë e vendit të tyre të mbajnë një referendum çdo katër vite. Republika ekumenike e Vatikanit është qendër e kishave katolike, luterike, islamike, judaiste dhe budiste. Në republikën e Ukrainës ateizmi është religjion shtetëror – ata që mendojnë ndryshe durohen.
Ekonomia dhe jeta sociale
Institucioni më i rëndësishëm i Evropës së bashkuar është Enti Kontinental i Punësimit me seli në Berlin, punë kryesore e të cilit është mbikëqyrja e papunësisë, e cila pranohet si e drejtë elementare qytetare. Ky institucion punëson 80 milionë të papunë me orar të plotë dhe 70 milionë të ashtuquajtur të papunë jozyrtarë - anëtarësia rrotullohet për çdo vit. Ata ndërmjetësojnë kurse aftësimi, rregullojnë shpërndarjen e ndihmës sociale dhe administrojnë qendrat e rekreacionit, të cilat funksionojnë në çdo komunë, ku qytetarët e shtetit ditë e net mund të shëtisin nëpër internet. Kapitali i gjithë këtij institucioni sigurohet përmes taksimit të punës ilegale, e cila - përndryshe - për evropianët është e ndaluar, qendra e pranuar diplomatike e të cilëve gjendet në Kinën komuniste-kapitaliste.
Politika
Secili ka të drejtë të themelojë një apo më shumë parti dhe sistematikisht të kandidojë për Tubimin Ndërkombëtar të BE, deputetët e të cilit njihen si të papunë nderi. (Ata për çdo muaj marrin nga 4000 euro honorar). Debati publik sillet para së gjithash rreth pyetjes nëse duhanxhinjtë dhe/apo konsumuesit e alkoolit trajtohen si të sëmurë apo shkelës të rregullave (kriminelë në Evropë nuk ka). Vendi i vetëm, i cili ruan të drejtën e pirjes së duhanit, është Shqipëria - një lloj Meke për adhuruesit e cigareve, purove dhe llullave; këto mallra, natyrisht, vijnë nga Lindja e Afërt dhe, rrjedhimisht, kushtojnë shumë. Çmimi për një stekë Marlboro: 1500 euro. Në çdo kuti duhet të shtypen jo vetëm kërcënime me vdekje, por edhe fjalë fyese në 16 gjuhë.
Një temë e dytë e preferuar e etërve dhe nënave të kombit (proporcioni: 50 për qind) është gjendja e kompjuterëve. Kjo çështje do t’i besohet një policie të virusëve në Bukuresht. Mirëpo, opinioni publik e akuzon këtë institucion se kultivon lidhje të fshehta me fabrikat e virusëve të shteteve të vogla amerikane, andaj si qendër alternative gjithnjë e më shpesh përmendet Kabuli.
Kultura
Si medium për publikimin e trashëgimisë shpirtërore të kontinentit tonë gjithnjë e më shpesh përdoret telefoni mobil. Në çdo kohë mund të porositen Mona Liza, Koncertet e Brandenburgut ose Luftë dhe Paqe dhe të dërgohen gjetiu sipas qejfit përmes SMS si dhuratë për datëlindje, Krishtlindje, Ramazan, Hanuka dhe për 1 Maj.
Private
Komunikimi virtual ndihmon edhe në kultivimin e raporteve personale. Kështu, përmes telefonit apo internetit mund t’u dërgohen të panjohurve shfaqje dashurie, dëshira për fëmijë etj., krizat martesore dhe divorcet mund të bëhen objekt i diskursit të hapur, me ç’rast udhëheqësi i të dy mediumeve kujdeset që deklarimet të jenë korrekte jo vetëm politikisht, por edhe moralisht. Rregullat gramatikore në të gjitha gjuhët e Evropës shfuqizohen nga viti 2010 respektivisht secili ka të drejtë të iniciojë një reformë drejtshkrimi.
Marrëdhëniet me jashtë dhe vizionet
Pasi kontinentet e tjera, si dhe shtetet jo të asociuara në krahasim duken fragmentare, BE si hallkë e përgjegjshme e bashkësisë ndërkombëtare ua vë atyre në dispozicion një kontingjent paqësor prej tre milionë psikologësh, në mënyrë që t’i zgjidhin problemet e moçme dhe të padiskutuara sa duhet.
* György Dalos u lind në vitin 1943 në Hungari. Ai studioi në Moskë nga viti 1962 deri më 1967. Më 1968 Dalos u përjashtua nga Partia Komuniste për shkak të “aktiviteteve armiqësore kundër shtetit”; autoritetet ndaluan po ashtu publikimin e veprave të tij. Më 1984 Dalos fitoi një bursë dhe punoi në Zyrën Kërkimore të Evropës Lindore të Universitetit të Bremenit. Nga viti 1987 deri më 1995 ai jetoi në Vjenë dhe Budapest dhe punoi për radio dhe gazeta gjermane. Që nga viti 1995 Dalos është drejtor i shtëpisë së Hungarisë në Berlin, ku edhe jeton. Vepra letrare e György Dalos është përkthyer në disa gjuhë.
Nga gjermanishtja:
Enver Robelli