Bogdani sqarohet për kthimin e Neritan Cekës në PD
Bogdani e kërkoi dje me urgjencë Flamurin për t’u konsultuar. Sa herë që hapen debate përtej 2005, ai e ka të nevojshme një konsultë, pasi i ngatërron gjërat. Tani marrëveshja e re e Berishës me Neritan Cekën e kishte ngatërruar. Kishte frikë se mos i kujtonin ndonjë gjë gazetarët dhe s’dinte si t’u përgjigjej.
Realisht halli i Bogdanit ishte diku tjetër. Derisa ky burri pranoi dhe Neritanin për aleat, atëherë nuk ka më njeri që nuk ka shanse të bëhet prapë aleat me këtë. Kjo e tronditi pak, se kohët e fundit ai burri e kishte detyruar të merrte shumë njerëz nëpër gojë. Po sikur të kthehen prapë ata, tha, dhe të bëjnë aleancë me këtë? Ku do shkoj unë i shkreti? Pikërisht për këtë donte konsultim me Flamurin.
- Si ia bëni ju, - tha, - kur kthehen prapë në parti ata që keni sharë?
- Asgjë, - tha Flamuri. - Bëjmë sikur s’ka ndodhur gjë. Kur vjen ndonjë militant, i themi janë punë të thella, i di ai burri… Po pse pyet ti?
- Po ja, kam hallin e këtij Neritan Cekës. Tani që u kthye ky, më ka rënë shumë popullariteti te militantët, se më thonë: “Kot i shan ti, i merr ai burri prapë në fund po iu deshën.”
- Mos u mërzit mixhë. Bëj si puna ime. Në fillim e pata pak zor me Preç Zogajn dhe Ben Imamin, se ishte fillimi dhe na vinte turp. Këtij Ben Imamit i kishim thënë që ke hipur në tank. Kur na u desh ta prezantonim për Këshill Kombëtar, u ngrita unë dhe iu thashë militantëve, ia do puna atij burrit, s’ke ç’i bën. Nuk thanë gjë të shkretët. Më e vështirë ishte me këtë Genc Rulin. Se ky, as kur u krijua KOP, nuk ishte dakord. Ky erdhi muajin e fundit fare para zgjedhjeve. Deri në mars të vitit 2005 e shante atë burrin. S’dija ç’t’u thosha dhe u sajova një gënjeshtër. Pse nuk erdhi më parë më thoshin. S’dija ç’t’u sajoja dhe u thashë se kishte atë çështjen penale të drurit të arrës dhe në mars të 2005 i mbyllej, se i ishte hapur në mars të 1995. Më besuan. E hodha lumin dhe me atë. Me të tjerët pastaj s’e kisha problem. U thosha e do ai burri dhe aq.
- Po mo po, - tha Bogdani. - Ti e ke të lehtë, se i njeh, po mua më bëhen lëmsh këta, se nuk njoh asnjë. Tani kanë plasur protestat. Njerëzit e PAD akuzojnë Cekën pse ka ardhur te Berisha, kurse këta të PAD që kanë ardhur më parë, i kanë thënë Berishës: “Po erdhi Neritani, do ikim ne.” S’di si t’ia bëjmë.
- Tani ta shpjegoj unë pse e kemi thirrur, - tha Flamuri. - E ka takuar Sandri me Fevziun. I kanë thënë dalim keq me sondazhin, por eja dhe ti me doktorin që të forcohet koalicioni. Të garantojnë të tretin në Elbasan.
- Jo në Elbasan, - iu ka thënë Neritani, - se më kanë inat ata të PD, se më akuzojnë për Dritan Kateshin.
- Mirë, - tha Sandri, - se të gjejmë një vend tjetër, s’u bë qameti.
Sandri i ka thënë që ai burri ka një plan për ty. Dhe plani është, po fituam prapë, ta bëjmë president.
- President…
- Po mixhë. Bëmë shumë gabim që s’e bëmë më 2005. Na ngeli në dorë ky Bamiri. E bëmë bukur lojën që të mos dilte. E eliminuam me bisedime dhe deshëm të bëjmë atë oficerin. Pastaj na u kuptua loja, se ai oficeri ishte djali i tezes së Celibashit. Na e kishte futur Fatmiri. Atëherë vendosëm për Neritanin. Por e mori vesh Nano dhe na dërgoi ata deputetët. Aty s’kishim ç’të bënim. Na ngeli në dorë Bamiri. Të kishim Neritanin, njëqind herë më mirë. S’do na kishte bërë naze si ky tani.
- E kisha këtë frikë, - tha Bogdani. - Vetëm dua të më sigurosh për një gjë. Unë vërtet jam tirons, por nuk kam lidhje me Bamirin. Se kam dëgjuar që do ta spastrojnë këtë grupin e Bamirit. Unë s’kam lidhje me të. Nuk dua të më përzieni me të.
- Jo, jo, ty s’të nget njeri. Kam fol dhe me Qukapin dhe më tha që “po vazhdoi kështu, mund ta zgjedhim dhe kryetar të FRPD.” Mos u bë merak.
- Për këtë kisha merak, - tha Bogdani. - Se unë nuk e njoh mirë PD dhe mund të bëj ndonjë gabim. Po s’dua të më ngatërrojnë me tironsit e vjetër. Unë kam hallin tim. S’i dihet si shkojnë punët. Derisa po kthehet dhe Neritani që ka ikur që në dhjetor të vitit 1991, s’ngelet njeri pa u kthyer.