E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hysen Shoshori, njeriu që akuzon Berishën

Nga Lorenc Vangjeli, Revista “MAPO”

“Shoshori?!! Kush është ky? ...Për këtë person që thoni, shikoni njëherë se mos nuk është i dënuar fare”. Njeriu që flet është Sali Berisha, kryeministër i Republikës së Shqipërisë. I sapokthyer nga Forumi Ekonomik Botëror në Davos, më 2 shkurt, zoti Berisha dha një përgjigje të llojit të vet për një nga akuzat më të rënda që i janë bërë gjatë karrierës së tij politike: ka qenë dëshmitar në një gjyq politik që dënoi me vdekje Hysen Shoshorin, një qytetar tiranas i akuzuar për terrorizëm, agjitacion e propagandë dhe përvetësim të pasurisë socialiste në vitin 1975. Një vendim që u pezullua pastaj nga Plenumi i Gjykatës së Lartë dhe u shndërrua me 25 vjet burg. Vetë Shoshori, në një intervistë të tij të vitit 2002, pohon të njëjtin fakt dhe shënjon zotin Berisha si një nga dëshmitarët kundër tij në proces. Por dhe shumë vite më parë, bazuar në dëshmitë e bashkëvuajtësve të tij, që në dhjetorin e vitit ’90, kur Berisha nisi të shfaqej publikisht e më pas, Shoshori e konsideronte atë si pjesë e mekanizmit që e fundosi në fatkeqësi.

Revista “MAPO” ka mundur të sigurojë disa materiale autentike të kohës dhe fillimisht afron për publikun dy vendimet e gjykatave komuniste, atë të gjykatës së Tiranës dhe të Plenumit të Gjykatës së Lartë. Dy dokumente, të cilat, duke ndjekur këshillën e kryeministrit për të zbuluar, nëse është apo jo i dënuar në kohën e komunizmit Hysen Shoshori, i japin përgjigje asaj: Po! Shoshori është një i dënuar politik. Pjesa tjetër, nëse Berisha ka qenë apo jo dëshmitar i akuzës komuniste kundër tij, është ende për t´u verifikuar. Nga njëra anë është dëshmia e vetë viktimës dhe e bashkëvuajtësve të tij të shumtë, por dhe dosja voluminoze e hetimit, e cila deri më tani nuk është bërë publike. Nga ana tjetër, është mohimi i kryeministrit. Një mohim, që të paktën në një nga dy pikat e tij është i pasaktë: viktima Shoshori ekziston dhe është i burgosur politik. Madje, në listat e ish-të përndjekurve që janë publikuar rreth një muaj më parë, emri i tij figuron me numër rendor 1 për të marrë dëmshpërblim për ditët e burgut, në masën 8 milionë lekë.

Akuza ndaj akuzatorit të zakontë?

Në fakt, nuk mund të vinte në ditë më të keqe për zotin Berisha. Menjëherë mbas miratimit të shumëdiskutuar të ligjit për lustracionin dhe shuplakave periodike, me kah të përcaktuar Uashington, Bruksel, Strasburg drejt Tiranës zyrtare, Erion Braçe, deputeti luftarak socialist e akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin se ka qenë autor i një denoncimi politik ndaj një qytetari shqiptar që u dënua me vdekje nga regjimi i dikurshëm. Prova që Braçe demonstroi në Kuvend ishte gazeta “Plaga”, numri i saj i dytë dhe edhe i fundit - botimi i saj u ndërpre - organ i shoqatës së të ish-të përndjekurve politikë. E botuar më 22 maj të vitit 2002, tirazhi modest i saj nuk mundi as të dalë në qarkullim, sepse u asgjësua në rrethana të dyshimta. Zëra të pakonfirmuar pohojnë edhe se trajtimi i gazetës në këtë mënyrë erdhi si rezultat i një “aleance fluide” mes të akuzuarit të sotëm dhe një pjese të pushtetit të djeshëm të socialistëve. Vetë botuesi i saj, Skënder Tufa, gjithashtu i burgosur i ndërgjegjes, një vit më pas u arrestua dhe bëri burg mbas një procesi dhe akuze të dyshimtë për favorizim prostitucioni.

Hysen Shoshori atëherë përgjigjej: “Gjatë gjykimit pashë shumë dëshmitarë që nuk i njihja, të cilët bënin dëshminë të frikësuar dhe pa më parë mua. Në mendje më mbeti vetëm njëri që ishte i veçantë nga të tjerët. Trup i gjatë dhe energjik, me hap të sigurt u paraqit për të dëshmuar. Ai u ndal para trupit gjykues dhe pas formaliteteve, me një theks malësori, me eufori, filloi të flasë para trupit gjykues duke treguar se si e kishte gjetur traktin që kishte përmbajtje të theksuar armiqësore, të cilin e tundte para trupit gjykues dhe sallës: “...ky njeri është armik i betuar i partisë, prandaj duhet varur në litar”!

Sipas Shoshorit në 2002 e sipas Braçes në 2009, ky njeri ishte Sali Berisha. “Ky njeri, i cili është një komunist pasionant e fanatik i pandreqshëm, që për të arritur në majat e hierarkisë së pushtetit komunist ka përdorur dhe traktin tim duke ndikuar drejtpërdrejt në dënimin tim me vdekje, ishte Sali Berisha”, - pohonte vetë Shoshori. Pikërisht njeriu që vetë Berisha i vë në dyshim ekzistencën.

Kush është ish-i burgosuri i ndërgjegjes

Është ende një nga misteret e mëdha të së shkuarës. Një nga ato mistere që nga larg i ngjajnë një konspiracioni kundër një individi, të cilit i kanë shkatërruar jetën, e kanë mbyllur në ferrin e burgjeve komuniste dhe tashmë, pothuaj 20 vjet mbas përmbysjes së komunizmit, edhe e mohojnë. Për tiranasit e vjetër, emri i tij ka qenë mjaft i njohur. Ai konsiderohej si një nga mendjet më të “krisura” të kohës, me një guxim të jashtëzakonshëm që krejt i vetëm, kishte vendosur të sfidonte diktaturën komuniste.

Edhe sipas aktakuzës, edhe sipas asaj që ai vetë ka pranuar fillimisht në proces e më pas edhe publikisht me gojën e tij, gjatë periudhës 1961-1974 ka shpërndarë 41100 trakte. Nga gjithë ky mal urrejtjeje, poshtërimi publik për diktaturën, organet e saj kanë mundur të sigurojnë një sasi prej 277 copash. Sipas Shoshorit njërën nga to e ka pasur kryeministri i sotëm, kurse sipas bashkëvuajtësve të tij, një tjetër trakt ishte dorëzuar nga një tjetër emër publik në Shqipëri, deri vonë diplomat. Është kurioze të theksohet se diplomati shqiptar u penalizua fillimisht për një gjë të tillë në 1996, duke iu hequr e drejta e konkurrimit për deputet, por që më pas mundi të rifitojë pastërtinë e figurës së tij. Në gjyq, ndryshe nga sa pretendohet për zotin Berisha, ai thjesht ka shpjeguar rrethanat, në të cilat ka gjetur traktin.

Sipas vendimit të gjykatës së Tiranës, të datës 10 shkurt 1975, vërtetohet se Shoshori ka pranuar se ka vepruar me ndërgjegje të plotë: “...duke pasur për qëllim që traktet t´i lexonin njerëzit që populli të bëhej sa më i pakënaqur nga Partia dhe të ngrihej për të shpëtuar nga kthetrat e diktatorëve...”, - shkruhet në këtë vendim. Por Shoshori nuk është ndalur këtu. Me një guxim që edhe sot ngjan i jashtëzakonshëm, ai arrinte deri aty, sa të shkruante: “...ai njeri që ka një armë dhe nuk shtie në udhëheqësit kryesorë dhe në levat e tyre si të këshillave të lagjeve... është i lig, është frikacak, është servil...” Ky trakt mban datën 22 janar 1968.

Mbas një viti të gjatë në hetuesi, Shoshori fillimisht dënohet me vdekje nga gjykata e Tiranës, por në një rikualifikim vërtet të habitshëm të veprave penale, me të cilat e akuzonte drejtësia komuniste, plenumi i Gjykatës së Lartë e dënon atë me 25 vjet heqje lirie. Më pas, për të fillon kalvari i gjatë i burgjeve. Spaç, Burrel dhe së fundi Sarandë, ku ishte nga të fundit të burgosur politikë të liruar nga burgu. Mbas 16 vjetësh në qeli, pa u vizituar kurrë nga të afërmit e tij, më 17 mars 1991, Shoshori do të kthehej sërish në Tiranë.

Revista “MAPO” do të botojë numrin e ardhshëm dy vendimet e gjykatave komuniste, në një përpjekje për të rikujtuar dhe njëherë atë veprim të jashtëzakonshëm kuraje kundër komunizmit dhe egërsinë, me të cilën komunizmi i rikthehej viktimave të veta. Edhe sot, mbas 18 vjetësh në liri, Shoshori provon në një mënyrë tjetër viktimizimin. Plot 75 vjeç ai mund të bëjë një bilanc të trishtuar duke shtuar dhe një detaj më shumë në jetën e tij të trazuar: arrijnë derisa t´i mohojnë ekzistencën.

Të jetosh me Shoshorin

Bardhi Metaj është një burrë jashtëzakonisht i veçantë. Një shqiptar i rrallë, emrin e të cilit fillimisht e përmendin bashkëvuajtësit e Hysen Shoshorit. “I hapi derën e shtëpisë dhe ndau kafshatën e varfër të bukës me të. Nuk e njihte më parë, por bëri një sevap të paharrueshëm”, - tregojnë disa nga ta që e njohin mirë historinë e Shoshorit dhe pretendimin e tij kundër kryeministrit Sali Berisha. Vetë Metaj tregon rrethanat, në të cilat është njohur me Shoshorin. “Ishte 17 marsi i 1991, krejt rastësisht në mbrëmje hipa në një autobus që sillte të burgosurit e fundit nga Saranda në Tiranë. Isha me gjithë bashkëshorten time, Fatmirën, kur rastësia na uli pranë Hysenit. Nuk e kisha njohur kurrë më parë, por kisha dëgjuar diçka për të”, - thotë Metaj, edhe vetë i rritur jetim me një baba të pushkatuar nga komunistët që kur ai kishte qenë foshnje. “Insistoi ime shoqe. Ajo më tha se Hyseni nuk kishte ku të shkonte dhe ne e morëm në shtëpi. Ai ngjante si Zhan Valzhani te “Të mjerët”, i luajtur nga Zhan Gabeni. Kishte një personalitet të fortë. Është hera e parë që dikush më pyet për të. Vetëm në vitin 1991, në gazetën “Republika” Maks Velo e përmendte këtë fakt dhe madje e krahasonte veprimin e bashkëshortes sime me atë të Nënë Terezës. Por nuk ishte tamam kështu. Them se çdo shqiptar do ta bënte një gjë të tillë”, - pohon Metaj, dy vajzat e rritura të të cilit, ende e quajnë Hysenin “Gjysh”.

Më pas, Shoshori largohet nga miqtë e tij të rinj dhe vendoset për ca kohë te të motrat. Dhe më tej akoma, shkon të banojë te një tjetër mik i tij. Ende nuk ka një banesë të vetën. I sëmurë nga mosha, por ende i paepur nga shpirti i tij rebel, Shoshori, ky njeri me një jetë të pabesueshme, madje nuk ka asnjë fotografi të vetën. Miqtë e tij të shumtë thonë se ai nuk e donte foton. “Ishte krejt i veçantë dhe koha e djeshme që e vrau dhe e sotmja që e ka lënë në harresë, i kanë këtij burri një borxh të pafundmë”, - thonë miqtë e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›