E Diel, 1 Nëntor 2026

Gazi në Fier, TEC-i në Vlorë, pse?

Nga Lavdosh Ferruni

Nuk mund të mos i thuash mirëserdhët në Shqipëri kompanisë zvicerane EGL dhe asaj norvegjeze “StatoilHydro”, që së shpejti fillojnë punimet për ndërtimin e gazsjellësit transadriatik (TAP), i cili tranziton nëpërmjet Shqipërisë deri në Fier e më pas kalon nën det drejt Italisë gazin që vjen nga pellgu i Kaspikut e që kalon gjithashtu nëpër Turqi e Greqi. Shqipëria zgjidh përfundimisht nevojat e saj me energji elektrike duke ndërtuar qoftë edhe një TEC të vetëm përgjatë gjurmës së gazsjellësit TAP. Në reflektimin e seriozitetit e korrektësisë së kompanive dhe vendeve që ato përfaqësojnë, i gjithë bordi drejtues i TAP u zhvendos në Tiranë për të bërë prezent projektin edhe para kryeministrit të Shqipërisë. Kryeministri falënderoi të enjten Bordin Drejtues të këtij projekti madhor për besimin që kanë te vendi i tij për ndërmarrjen e kësaj iniciative të madhe dhe i garantoi mbështetjen e mëtejshme të tij dhe të qeverisë. Në dhjetor të vitit që lamë pas, Berisha dha OK edhe për një terminal të madh rigazifikimi po në bregdet të Fierit, ekskluzive për kompaninë italiane, “Falcione”. Pas kësaj marrëveshjeje dhe në vazhdim Ruli ka thënë se i pari destinacion i gazit që vjen në Fier është TEC-i i Vlorës. Cilido tani ka të drejtë të pyesë: Po pse kur dihej që gazi do vinte në Fier, duhej bërë TEC-i në Vlorë?

Që në 2006 qeveria shqiptare nëpërmjet Ministrisë së Energjitikës i ka dhënë autorizimin e koncesionit kompanisë EGL për gazsjellësin TAP. Po kështu, të gjitha projektet e tjera të gazit kishin si vendndodhje apo vendkalim bregdetin e Fierit shumë kohë para se të merrej vendimi përfundimtar për ndërtimin e TEC-it në Vlorë. Cili ishte motivi që TEC-i i Vlorës të ndërtohej larg burimit të lëndës djegëse dhe pse pikërisht në plazhin e Triportit dhe pranë qytetit turistik? Kush do paguaj për ndërtimin e tubacionit të gazit nga Fieri në Vlorë, që thotë tani ministri ekonomist, Ruli? Sa do jetë kostoja e prodhimit të 1 njësie energji në TEC të Vlorës me gaz të marrë nga Fieri? A do jetë kjo kosto më e vogël se po të ishte TEC-i atje ku vjen dhe gazi, pra në Fier? A do jetë kjo kosto më e lirë se çmimi i blerjes në treg? Natyrisht, në llogaritjen e këtyre kostove duhen marrë në konsideratë dhe kostot sociale e mjedisore, të cilat gjithashtu janë shumë më të larta në TEC-et e Vlorës, por të injoruara në projekt. A ka një çështje korruptive këtu? Logjika e thjeshtë, por dhe dhjetëra shkelje ligjore të çojnë në një “Po” të fortë. Partia Socialiste që do bënte opozitën dhe do kërkonte hetim në prokurori është vetë nismëtare e këtij korrupsioni, madje me përmasa të mëdha. Kafshimi i bregdetit të Vlorës, ku e para i nguli dhëmbët e korrupsionit qeveria e Nanos e më pas u vërsul për ta shqyer qeveria shqyerse e Berishës është shoqëruar me pozicionin e spektatorit që ndjek kafshimet e shqyerjet (me indiferencë nëse jo me kënaqësi), prej Ramës. Nuk përjashtohet rasti që në prag fushate apo në fushatë Rama të lëshojë një të bërtitur: “Politika e vjetër e kafshoi dhe shqeu pjesët më të bukura të Vlorës, por vota juaj më 28 qershor...” Por nuk ka gjasa që të evidentohen të korruptuarit, që në këtë rast janë pa dyshim ministra e lart, të paktën deri në fund të mandatit të kësaj qeverisjeje. Në këtë situatë ku nuk pritet asnjë reagim për korrigjim gabimi nga pozita apo opozita e sotme, Banka Botërore, bashkëkredidhënësja dhe koordinuesja e borxhit 100 milionësh (në USD), ç’pozicion ka për TEC-in e Vlorës? Analiza e ngjarjeve që në fazat e hershme, p.sh., në dhjetor 2001, kur menaxhmenti i Bankës Botërore i Tiranës me z. Nadir Mohamed në krye injoroi variantin e TEC-it në Fier, përcaktuar si më i miri nga studimi i kompanisë amerikane “Harza” së bashku me Agjencinë Kombëtare të Energjisë, të çon në atë që së paku në këtë projekt Banka Botërore në Shqipëri të jetë pjesë e korrupsionit. Fakti që Paneli i Inspektimit të Bankës Botërore pas inspektimit të parë në Vlorë zbriti 1 vit më parë aty për të filluar procesin e investigimit mbi çështjen e TEC-it të Vlorës tregon se edhe për zyrën qendrore të Bankës Botërore në Uashington shqetësimet janë reale. Nga ana tjetër, vonesa e procesit të investigimit prej Panelit, prej 1 viti, mund të interpretohet si një tentativë për ta shtyrë vendimmarrjen deri në pikën, ku më pas Banka Botërore nuk mund të marrë vendim për anulim financimi (kur financimi ka arritur 90% të totalit, sipas politikave të Bankës Botërore, financimi vazhdon edhe në rast shkeljesh të vërtetuara). Banka Botërore për shumicën e shqiptarëve është një institucion i besueshëm, që ka ndihmuar vendin edhe pse një pjesë e vogël e tyre mendojnë të kundërtën. Rasti i TEC-it të Vlorës, për të cilin pritet që nga fundi i këtij muaji të publikohet raporti i investigimit i Panelit të Inspektimit nuk është si rasti i prishjeve të ndërtesave në Jalë, për të cilat ajo mund të vendosë edhe kompensimin e të dëmtuarve. TEC-i i Vlorës do qëndrojë mbi institucionin e Bankës Botërore si një hije që do t’i rrijë asaj pas për një kohë të gjatë e do të zhvleftësojë ndjeshëm në mos tërësisht misionin e saj në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›