E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Brenda 2013 do punësojmë 160 mijë vetë

 

Kryeministri Sali Berisha premtoi dje nga Spitalla se brenda katër viteve të ardhshme të mandatit të kësaj qeverie do të punësohen rreth 160 mijë persona. “Në 4 vitet që vijnë, ne mbetemi të vendosur të vazhdojmë me shpejtësi rritjen e pagave dhe të pensioneve tuaja. Pra, problematika juaj është dhe do të mbetet programi i qeverisë së ardhshme. Punësimi juaj do të jetë një nga objektivat më madhore të qeverisë. Gjatë këtij mandati, ne kemi punësuar rreth 80 mijë qytetarë shqiptarë. Unë ju premtoj se në mandatin e dytë do të punësojmë dyfishin e tyre”, u shpreh Berisha. Kryeministri përuroi fillimin e punimeve për rindërtimin e rrugës Spitallë-Porto Romano. Rruga me gjatësi 2.5 kilometra dhe gjerësi 16 metra është investim i buxhetit të shtetit me vlerë 220 milionë lekë. Kryeministri Berisha e konsideroi këtë segment rrugor jetik, pasi lidh Durrësin me Porto Romanon, me parkun industrial dhe energjetik. “Sot, në Shqipëri, sërish përballen dy alternativa. Ajo e reformave dhe rezultateve të pamohueshme të tyre dhe tjetra, alternativa e nihilizmit, e mohimit të çdo gjëje. Mos harroni se në kohën kur ne rrisnin pensionet, kundërshtarët tanë mohonin se pensionet po rriten. Në kohën kur ne rrisnin pagat e mësuesve, kundërshtarët tanë mohonin se po rriten pagat e mësuesve. Në kohën kur ne shkonin drejt NATO-s, kundërshtarët tanë organizonin mitingje proteste për të bllokuar procesin”, theksoi kreu i qeverisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›