ISKSH: Të ardhurat dytësore, shpërblime për mjekët
Të ardhurat dytësore që mbledhin qendrat shëndetësore, nëpërmjet të pasiguruarve, do të përdoren nga vetë ato. Fondi do të shkojë 100% për investime në poliklinika dhe shpërblime për mjekët. Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana, deklaroi dje se pritet vetëm vendimi i Këshillit të Ministrave. “Së fundi pritet të dalë vendimi i Këshillit të Ministrave për të ardhurat dytësore, që ju mund t’i përdorni për investime, për pajisje, por dhe për shpërblime të stafit të personelit tuaj”, tha Hana. Gjatë një vizite në poliklinikën nr. 10 në kryeqytet që mbahet si model për arritjen e standardeve të reformës, ajo pranoi se procesi i dixhitalizimit të informacionit në qendrat shëndetësore ka përfunduar në Tiranë e shumë shpejt do të shtrihet në rrethe të tjera të vendit. Ndërkohë që pas dy javësh, qendrat shëndetësore do të përfitojnë ato pajisje që kanë kërkuar në sajë të tenderit të zhvilluar. “Është kryer tenderi i Bankës Botërore në Ministrinë e Shëndetësisë dhe shumë shpejt, brenda dy javësh do të fillojë edhe shpërndarja e pajisjeve sipas atyre përcaktimeve, që janë nga vetë ju”, sqaroi Hana. Këto pajisje do të ndihmojnë mjekun e familjes që të diagnostikojë më mirë sëmundjet dhe të realizojë një ndjekje më cilësore për pacientët me sëmundje kronike. Gjithashtu, qendrat do të pajisen me sterilizator me qëllim ofrimin e shërbimit me mjete brenda kërkesave të higjienës. Vaksinat si pjesë e punës së përditshme do të mbahen me frigoriferë të rinj portabël me qëllim ruajtjen sa më mirë të tyre në çdo moment dhe ofrimin e shërbimit edhe në ato shtëpi që janë larg qendrave shëndetësore.