Berisha: Brenda 4 muajve përfundojmë legalizimet
13/06/2005 Kryetari i Partisë Demokratike ka premtuar gjatë një takimi me elektoratin e Laprakës legalizimin e ndërtimeve brenda katër muajve të parë të qeverisjes. Sipas Berishës PD premton se me fitoren e pushtetit do të marrë përsipër kompensimin e pronarëve të tokës dhe do të nisë një proces legalizimi, ku ndërtuesit do të kenë mundësinë që të paguajnë shtëpitë e tyre me çmime të ulëta. Sipas tij kjo do të ndikojë në urbanizimin e zonave informale. Ndaj Berisha ka kërkuar mbështetje për kandidaten e PD-së në këtë zonë Majlinda Bregu. Po dje Berisha ka zhvilluar një takim në zonën e Kombinatit ku kandidon Bujar Nishani. Gjatë fjalës së tij Berisha ka akuzuar kandidatin e PS-së, Igli Toska për trafik droge. Berisha është shprehur në fjalën e tij se vetëm nëse opozita aktuale do të vijë në pushtet do të arrihet në luftën reale ndaj korrupsionit dhe trafiqeve të paligjshme. Berisha është shprehur se Nishani është deputeti që i duhet zonës së Kombinatit, pasi vetëm me angazhimin e tij do të arrihet në zgjidhjen e problemeve të kësaj zone.