E Diel, 1 Nëntor 2026

Nano feston 14 vjetorin e PS në Përrenjas

13/06/2005  "Prrenjasi dhe gjithë Shqipëria nuk kanë më nge të merren me Berishën dhe bishtat e Ilir Metës"

Kreu i PS thekson se nuk premton Çeqe të bardhë por angazhime konkrete

Kryeministri Fatos Nano, në 14 vjetorin e krijimit të Partisë Socialiste, ka deklaruar se për shqiptarët kjo forcë politike është e vetmja që do të çojë Shqipërinë në botën moderne. Gjatë një takimi me banorë të qytetit të Përrenjasit, kreu i Ekzekutivit shqiptar, e ka cilësuar si një rrugëtim të vështirë 14 vjetët e ekzistencës së PS-së, por që i kanë mësuar kësaj partie të eci me këmbë në tokë. Kryetrai i PS-së i ka kërkuar banorëve të zonës elektorale numër 61, që të votojnë për kandidatin për deputet të kësaj partie Rrapush Tola, në mënyrë që zona e Përrenjasit të vazhdojë rrugën e zhvillimit. Nano u ka premtuar banorëve të zonës se brenda dy viteve të ardhshme, do të ndërtohen 12 ujësjellësa, ndërsa brenda 4 viteve, uji i pijshëm do të jetë 24 orë pa ndërprerje. Investimet në arsim do ti sjellin përfitim rreth 9 mijë nxënësve, kjo duke ndërtuar 14 objekte shkollore. Gjithashtu, Nano u ka premtuar banorëve të Prrenjasit ndërtimin e unazës së re të qytetit si dhe ndërtimin e akseve rrugore që lidhin fshatrat e kësaj zone.

14 vjetori

Kreu i socialistëve ka preferuar që urimin e parë për ditëlindjen e 14 të PS-së, ta drejtojë nga qyteti i Përrenjasit. “Jam i privilegjuar që jam këtu në Prrenjas, në ditën e 12 qershorit, një festë e veçantë për ne socialistët, pasi 14 vjet më parë themeluam PS dhe nisëm rrugën tonë të pandalshme drejt fitores. Kemi lënë pas vitet e dhunshme të Berishës, në të cilët PS-ja forcoi zemrat, solidaritetin dhe përgjegjshmërinë dhe këmbënguljen për synimet perspektive që realizon tashmë prej 8 vjetësh. Ndonëse trashëguam një vend të shkatërruar nga regjimi i Berishës, ne ditëm të mbyllim plagët e vitit 1997, të ngrejmë shtetin ligjor dhe demokratik, të modernizojmë ekonominë dhe shoqërinë me reforma, infrastukturë dhe me një politikë sociale, që po i sjell njerëzit më afër lirisë dhe botës moderne. Ne jemi me këmbë në tokë. Nuk premtojmë “Çeqe të bardhë”, por një Shqipëri të qetë, normale, në zhvillim dhe të ardhme, që rritet dita-ditës me punën dhe djersën e saj të ndershme, një Shqipëri europiane”, tha Nano.

Sulmi

Kreyetari i socialistëve i ka kërkuar banorëve të Prrenjasit, që të votojnë për alternativën e majtë pasi sipas tij, “Prrenjasi dhe gjithë Shqipëria nuk kanë më nge të merren me Berishën dhe bishtat e Ilir Metës. Kemi shumë për të ndryshuar, për të ndërtuar e përmirësuar, ndaj nuk mund të mbetemi peng të një grushti aventurierësh, që nuk i fshehin dhëmbët skërmitëse as në tribunat elektorale në fushatën e sotme. Berisha ende ka iluzionin se me pseudo të majtët, që dikur ishin në ekipet tona qeverisëse dhe abuzuan me mandatin tuaj, mund të prishë gëzimin e fitores të 3 Korrikut. I keni bërë llogaritë gabim zotërinj, të vjetër a të rinj qofshi, në ikje apo në pubertet”, tha Nano.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›