E Diel, 1 Nëntor 2026

Kandidatët tanë nuk largohen nga detyra

13/06/2005  Ceka kundërshton dorëheqjet e drejtorëve

Presidenti i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, është shprehur kundër dorëheqjeve të zv.ministrave apo drejtorëve të rëndësishëm, të cilët janë angazhuar si kandidatë për deputetë. Sipas Cekës, nuk është normale që të kërkohet largimi nga detyra të rektorëve, të dekanëve apo dhe të zyrtarëve të lartë shtetëror, pasi në këto raste nuk është shënuar ndonjë shkelje ligjore. “Nuk ka asnjë sens, që në mes të fushatës elektorale të bëhet një shkëputje e punës së shumë drejtuesve të rëndësishëm në ekzekutiv, pasi vetëm në një pjesë të ditës ata vazhdojnë detyrën e tyre dhe më pas merren me fushatën. Nuk është mirë që të bëhet ky lloj bombardimi me mortaja nën këmbët e tjetrit, gjë e cila është në dëm të qytetarëve. Për shumë drejtues, është sakrificë që të bëjnë fushatë elektorale, ndërkohë që do të shprehesha në mënyrë të ashpër, në qoftë se në këtë mes do të ishte dora e OSBE-së. Është mirë të rrinë atje ku janë dhe të mos përzihen me punët tona”. Ndërsa, duke deklaruar qëndrimin e partisë së tij në lidhje me dorëheqjet e kandidatëve të saj nga postet drejtuese, Ceka u shpreh se “të gjithë kandidatët tanë që janë në poste drejtuese do të qëndrojnë në këto poste, pasi janë në përputhje me ligjin dhe janë në përputhje me angazhimin që ka marrë Aleanca Demokratike për këto zgjedhje”. Kreu i PAD-së, është shprehur me tone të ashpra për tensionin që ka përfshirë spektrin politik shqiptar në zhvillimin e fushatës elektorale. Ai i ka dërguar një mesazh të gjithë kandidatëve për deputet që të respektojnë Kodin e Etikës në fushatën elektorale. Në qëndër të sulmeve të Cekës, ka qenë skema me të cilën Partia Demokratike po futet në zgjedhjet e përgjithshme. Sipas tij, “në qoftë se ka një njeri që po bën një “Dushk” në Shqipëri dhe aspak korrekt, është zoti Berisha që ka nxjerrë kandidatë të PD-së më siglën e partive të tjera, duke u përpjekur të marrë vota e PD-së në dobi të këtyre partive, duke krijuar kështu skenën më banale që mund të egzistojë. Zgjedhjet nuk janë një ndeshje mes PD-së dhe PS-së. PAD-ja do të marrë nga elektorati i PS-së vetëm ato vota që do të eleminojnë efektin "Dushk" të PD-së. Ndërsa antidushku që propozon Berisha, nuk mund të ndryshojë rregullat e lojës as nga ndërkombëtarët dhe as nga kombëtarët”, tha Presidenti i Aleancës Demokratike, Neritan Ceka.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›