E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: "Në tri korrik Toska bëhet "nuse"

13/06/2005  Kreu i LSI sulmon Ministrin e Rendit

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka sulmuar ministrin aktual të Rendit Publik, Igli Toska, duke e cilësruar si një ministër të dështuar dhe humbës në garën e 3 korrikut. Deklarata e Metës, ka ardhur gjatë prezantimit të kandidatit të LSI-së në rrethin e Beratit, Lefter Maliqin, Eduard Bejkon dhe Albert Pilon. Duke ju drejtuar banorëve të zonës, ai tha se “ju siell përshëndetjet e Monikës, e cila do të vijë në Berat pas 3 korrikut pasi të ketë bërë “nuse” Igli Toskën në garën elektorale të 3 korrikut”. Takimin, Meta e ka zhvilluar në kuadër të kryeministrit të ardhshëm, që do të dalë prej LSI. Ndërsa gjatë një takimi me gratë e Beratit, Meta ka kritikuar ashpër dy partitë kryesore në vend, PD-së dhe PS-së, duke i cilësuar si denigruese ndaj forcës më të madhe të zhvillimit shoqëror që është gruaja. “Jeni një forcë lëvizëse e shoqërisë që deri tani askush nuk u ka përkrahur duke u larguar nga politika dhe nga problemet e tjera shoqërore duke u mohuar punën, politikën si dhe zhvillimet e tjera të jetës duke u bërë amvisa pa dashjen tuaj. Sa herë që kaloj në qytetin e Beratit, shikoj rrugët pa njeri, menjëherë më krijohet përshtypja e një qyteti të varfër që gjithmonë vjen nga papunësia. Ndaj, premtimi im kryesor është lufta kundër papunësisë. Ky është oblikimi ynë për të luftuar varfërinë dhe për të rritur të ardhurat tuaja në familje”, tha Meta. Po dje, Meta ka zhvilluar dhe një takim me romët e këtij rrethi. Gjatë fjalës së tij, Meta ka premtuar legalizim e banesave që përfshin edhe kasollet në të cilat banon komuniteti rom.

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka akuzuar kryeministrin Fatos Nano si një politikan të papërgjegjshëm i cili pasi rrënoi zonën e Tepelenës e cila e zgjodhi si deputet shkoi të kandidojë në Sarandë. Gjatë takimit me banorë të kësaj zone, Meta u shpreh se “premtimet tona i mbajmë dhe nuk do t’i lemë tepelenasit në këtë gjendje, pasi ata nuk mund të braktisen në këtë mënyrë të papërgjegjshme, sikundër ka bërë pushteti aktual. Niveli skandaloz i investimeve, abuzimi me pushtetin, harresa që i është bërë këtij bastioni të patriotizmit dhe përkushtimit, është tregues i qartë i gjendjes në të cilën ndodhet sot Partia Socialiste dhe shpërdorimit që ajo i ka bërë besimit dhe votës tuaj”. Duke sulmuar Nanon, kreu i LSI-së i ka kërkuar banorëve të Tepelenës që të votojnë për alternativën që i ofron LSI e cila në këtë zonë përfaqësohet nga Xhelil Aliu. Ndërkohë që nga PS-ja gara e 3 korrikut do të kryesohet nga Sekretari i Përgjithshëm, Gramoz Ruçi. Më pas Kryetari i LSI-së, Meta theksoi se Tepelena, fatkeqësisht është rasti më i mirë për të kuptuar filozofinë mashtruese të pushtetarëve aktualë, të cilët nëpërmjet mashtrimit dhe demagogjisë kërkojnë të marrin votat e popullit dhe më pas për katër vite të mos kujtohen fare për hallet dhe shqetësimet e tij. Kështu ka ndodhur me deputetin aktual, prandaj dhe u detyrua të arratiset politikisht nga Tepelena dhe në mënyrë të pamoralshme kandidon në një tjetër zonë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›