Berisha: Brenda një viti, pa viza në Evropë
Në një kohë kur në prag të zgjedhjeve të 28 qershorit opozita e majtë ka ashpërsuar sulmet ndaj familjes kryeministrore, z. Sali Berisha bën sfidën e radhës: “Mbi tryezën time ka vetëm një projekt, ai i interesit të qytetarëve shqiptarë”. Madje, duke shkuar edhe më tej, se kujdesi për fëmijët shqiptarë përgjatë këtij mandati qeverisës ka qenë njësoj si për fëmijët e tij dhe i tillë do të jetë edhe gjatë mandatit të dytë. Sepse, sipas Berishës, këta interesa dhe ky kujdes kanë qenë të drejtë dhe të ndershëm për të ndërtuar një Shqipëri ndryshe, larg krimit dhe korrupsionit, një Shqipëri që pasi u bë anëtare e NATO-s, synon hyrjen e shpejtë në BE. Por momenti që ndan këto dy ngjarje historike për shqiptarët, në gjykimin e kreut të qeverisë, Berisha, është heqja e vizave brenda një viti drejt vendeve të zonës “Shengen”. Gjatë takimeve “Shqipëria po ndryshon” në Petrelë dhe në Vorë, Kryeministri i vendit i ftoi qytetarët shqiptarë që të votojnë vazhdimin e këtij mandati kundrejt politikës manipulatore të një opozite nihiliste të Edi Ramës. “Besoj se për çdo shqiptar që i thotë ditës ditë, ndryshimit ndryshim, pranon se këto katër vite Shqipëria është një vend tjetër. Ndaj, unë ju ftoj të vazhdojmë mandatin e dytë së bashku dhe dua t’ju garantoj se unë, sërish, edhe katër vitet e ardhshme dhe për sa kohë që ju të vendosni që unë të jem në pushtet, në tavolinën time të punës, në zyrën time, do të ketë vetëm një program: ai i interesave tuaja, i plotësimit të tyre, sepse ato janë interesa të ndershme, të drejta. Duke punuar për to, unë kam bërë punën më të mirë për vete, për fëmijët e mi, për fëmijët e fëmijëve të mi, për vendin tim”, - deklaroi z. Berisha. Gjatë takimit të djeshëm me banorët e Vorës dhe më pas një vizite në familjen e Reshit Krujës, i cili humbi jetën në tragjedinë e Gërdecit, me premtimin se do të vihet drejtësi, Berisha theksoi se opozita e Edi Ramës nuk ka sot asnjë alternativë dhe e vetmja mënyrë për të bërë politike është bllofi. Ai vuri në dukje se përballë alternativës së veprave, të rrugëve, të urave, të ullishtave, të pensioneve të dyfishuara, të kanalizimeve, të ujësjellësve, të shkollave, internetit, ka edhe një alternativë tjetër: alternativa e bllofeve, e trillimeve, e skupeve, e turpeve. Kryeministri Berisha siguroi pjesëtarët e familjes Kruja për përpjekjet e tij maksimale në mbështetje të interesave të tyre, duke shprehur angazhimin se qeveria në bashkëpunim me pushtetin lokal do të jetë gjithnjë pranë tyre. Gjithashtu, Kryeministri Berisha theksoi se drejtësia që familjarët kërkojnë, duhet dhe do të vihet patjetër në vend dhe për këtë qeveria ka dhënë dhe po jep të gjithë mbështetjen e saj. Bashkëshortja e të ndjerit Reshit Kruja kërkoi një ndihmë të menjëhershme për vajzat e saj, të cilat ndiqnin universitetin, një kompjuter në shtëpinë e saj, i cili iu premtua menjëherë nga Kryeministri Berisha dhe deputeti Patozi, i cili shprehu gatishmërinë që një kompjuter do t’i shkonte kësaj familjeje menjëherë në ditët e ardhshme. Kurse në takimin me banorët e Vorës, Kryeministri u shpreh i bindur se viti 2010 do të jetë viti kur shqiptarët do të lëvizin pa viza në Bashkimin Evropian. Shefi i qeverisë përuroi në Petrelë përfundimin e ujësjellësit të ri, ku foli për projektin madhor të vendit që është lëvizja e lirë, kurse në Vorë mori pjesë në përurimin e kopshtit të fëmijëve dhe përuroi përfundimin e rindërtimit të shkollës 9-vjeçare. “Ne jo vetëm e paraqitëm kërkesën për vend kandidat në BE, por unë dua t’ju garantoj se pavarësisht nga skupet e opozitës apo opozitës së bllofit, brenda një viti ne do të realizojmë lëvizjen e lirë në mbarë Evropën të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Ky është interesi juaj. Për këtë interes punojmë ne, këtë interes ne do ta shndërrojmë në realitet. Le t’u lëmë atyre trillimet e skupet”, - deklaroi z. Berisha. Kryeministri u ndal edhe tek investimet e bëra nga qeveria e tij në infrastrukturë, në mënyrë të veçantë në Vorë. “Ne, - tha ai, - jemi të vendosur të financojmë në Vorë dhe në mbarë Shqipërinë çdo projekt që ndryshon për mirë jetën e qytetarëve shqiptarë. Nën moton e plotësimit të interesave tuaja, ne kemi investuar në Vorë 1.6 miliardë lekë. Unë ju garantoj ju z. Fiqiri, kryetar i bashkisë, se qeveria do të investojë dhe financojë çdo projekt tuajin në këtë zonë”, - u shpreh z. Berisha.