PS: Tabulatet, Berisha kishte dijeni për Gërdecin
Reagon PD-ja. Patozi: "Këto janë përralla, që nuk kanë asnjë efekt tek shqiptarët"
TIRANË- Në mungesë të një reagimi zyrtar në Kuvend, si rezultat i heqjes nga rendi i ditës i diskutimeve të deputetëve të opozitës, nënkryetari i grupit parlamentar i PS-së, Erion Braçe, ka deklaruar dje, pas braktisjes së seancës, se e-mail-et e fundit të botuara në media për vajzën e Kryeministrit Berisha, si dhe tabulatet telefonike të djalit të tij, Shkëlzenit, me Mihal Delijorgjin, tregojnë se Kryeministri jo vetëm që ka pasur dijeni për fabrikën në Gërdec, por edhe miqësi.
"Na patën thënë se nuk kishin dijeni për fabrikën e vdekjes dhe shpërthimi u kishte rënë si rrufe në qiell të hapur. Jo vetëm që kanë qenë në dijeni, por kanë pasur edhe miqësi",- tha dje Braçe.
Edhe zëdhënësja kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli, deklaroi dje se Berisha duhet të tregojë të vërtetën mbi bizneset dhe kontratat ku janë përfshirë vajza e djali i tij. "Sali Berisha duhet t'u tregojë shqiptarëve të vërtetën mbi bizneset dhe kontratat e majme, ku janë përfshirë vajza dhe djali i tij",- tha Kodheli.
Por, nga ana e Kryeministrit Berisha nuk ka pasur asnjë reagim të drejtpërdrejtë. Madje, kreu i ekzekutivit, pikërisht ditën e publikimit të tabulateve telefonike, ka zhvilluar një vizitë në një nga familjet e viktimave të Gërdecit, gjë të cilën ai nuk e bëri as në 1-vjetorin e kësaj tragjedie.
Ndërsa kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Astrit Patozi, deklaroi dje në Kuvend se të dhënat e fundit të botuara në media janë përralla, që nuk kanë asnjë efekt. "Historitë tuaja me e-mail-e, tabulate dhe përralla si këto, harrojeni se kanë ndonjë efekt tek shqiptarët. Njerëzit nuk duan t'ia dinë për ato sajesa",- tha Patozi.