E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita braktis seancën, PD miraton 18 akte ligjore

PD-ja vendos të zhvillojë edhe një seancë tjetër parlamentare, për të votuar raportin e komisionit hetimor kundër Ramës


TIRANË- Si asnjëherë tjetër, dje punimet e Kuvendit të Shqipërisë janë shoqëruar jo vetëm me debate të ashpra, por edhe më kalime projektligjesh dhe marrëveshjesh të diskutueshme dhe të kontestuara së tepërmi nga opozita.


Pa praninë e kësaj të fundit, Kuvendi miratoi mbrëmë vetëm më votat e mazhorancës, në një kohë rekord, 7 marrëveshje dhe 11 projektligje, përveç draftit për "Për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative", për të cilin mazhoranca nuk pati mundësi ta votonte, pasi për miratimin e tij duheshin plot 84 vota.


Megjithatë, po për mungesë votash, pas braktisjes së grupit parlamentar të PR-së, që kundërshtonte disa ndryshime të projektligjit për tokat në përdorim, Partia Demokratike nuk ka mundur të kalojë edhe projektligjet e fundit të parashikuara në rendin e ditës, siç ishte ajo për Kodin Doganor, Kodin Detar apo Kodin Rrugor.


Braktisja nga ana e grupit parlamentar e PR-së, në fakt mund të jetë edhe një lojë e stisur nga mazhoranca për të justifikuar edhe një tjetër seancë parlamentare, që pritet të mbahet këto ditë, periudhë kjo që do të përkojë edhe me përfundimin e mandatit të komisionit hetimor parlamentar ndaj Kryetarit të bashkisë, Edi Rama, në datën 15 maj.


Deputetët e PD-së nuk e pohuan, por as edhe e mohuan një fakt të tillë, duke lënë të hapur mundësinë që një raport i dalë vetëm nga anëtarët e mazhorancës, të kalojë për miratim në Kuvend.


Nga ana e saj, opozita e ka kontestuar ngritjen e këtij komisioni, duke e ankimuar në Gjykatën Kushtetuese. I pyetur për këtë çështje, nënkryetari i grupit parlamentar i PS-së, Erion Braçe, deklaroi dje se komisioni hetimor është i paligjshëm.


"Megjithatë, është një ogur i mirë, sepse pas çdo komisioni hetimor ata kanë humbur thellë. Kanë humbur ministra apo deputetë, që më pas, nga dëshpërimi janë zhytur në vepra kriminale korrupsioni",- shtoi Braçe


Opozita braktis seancën


Ndërkohë, braktisja nga opozitës e seancës së djeshme parlamentare e kishte zanafillën tek mospërfshirja e debatit 60-minutësh, kohë në të cilën deputetët e opozitës kishin depozituar fjalën për të folur.


Kryetarja e grupit parlamentar e PS-së, Valentina Leskaj, akuzoi dje Kryetaren e Kuvendit se po përdorte dy standarde në Kuvend dhe se nuk po lejonte që deputetët e opozitës të merrnin fjalën pikërisht gjatë 60-minutëshit të programuar për çdo seancë, por, që dje, me vendim të konferencës së kryetarëve (ku opozita nuk kishte qenë e pranishme) ishte hequr nga rendi i ditës.


"Jepuni fjalën deputetëve të opozitës, që duan të flasin në seancën e sotme, se ky është një detyrimi juaj",- tha kryetarja e grupit socialist, Valentina Leskaj, e cila e përsëriti këtë qëndrim edhe pas fjalës së mbajtur nga kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Astrit Patozi.


"Po bëhet një përpjekje e qëllimt,ë e herëpashershme për të njollosur integritetin e këtij Kuvendi. Kjo është si të pështysh në shtëpinë tende. Ju nuk e konsideroni veten pjesë të këtij Kuvendi. Ju e keni lidhur gjithçka me karrigen tuaj. Ju jeni penduar për ato pak reforma që keni bashkëpunuar dhe ky është vizioni juaj arkaik.


Ky është Kuvendi i Shqipërisë që po ndryshon, është i NATO-s, MSA-së, i aplikimit të Shqipërisë për në BE, i përgjysmimit të taksave, i luftës pa kompromis kundër korrupsionit",- tha Patozi.


Por, një fjalim të gjatë dhe patetik e ka cilësuar Valentina Leskaj fjalën e homologut të tij demokrat, ndërkohë që i ka kujtuar Kryetares së Kuvendit se ky nuk është Kuvend, por mbledhje partie. "Kjo është mbledhja e PD-së dhe jo Kuvendi i Shqipërisë. Kryetari duhet të rezervohet kur krahason Shqipërinë me Kuvendin e Gërdecit, që miratoi ligjin që hodhi 26 persona...


Ky është Kuvendi që ka vrarë shqiptarët",- tha Leskaj, fjala e së cilës u ndërpre nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. "Ky është parlamenti i NATO-s, i rritjes së pensioneve, i firmosjes se MSA-së. Në fakt, nuk keni faj. Përmes jush ka folur Edi Rama. Sa keq ju ka përdorur mor vëllezër.


Unë ju dua, ju vlerësoj për atë që keni bërë. Por ju jeni kthyer në një SHPK",- tha Topalli, teksa opozita tanimë kishte dalë nga Kuvendi. Edhe pse grupi parlamentar i PS-së kishte dalë jashtë ambienteve të Kuvendit, Topalli vijonte me akuzat. Madje, Topalli nuk nguroi t'i drejtohej edhe Kryetarit të PSD-së, Skënder Gjinushi. "Ti nuk hyn më në këtë Kuvend.


Hera e fundit që do jesh. Më i pastër do të jetë Kuvendi", - tha Topalli, e cila më pas ka vijuar me rendin e ditës. Por nuk ka qenë vetëm opozita ajo që ka dalë jashtë dyerve të Kuvendit, por edhe deputetë të PBDNJ-së, të cilët kanë braktisur seancën, në momentin kur mazhoranca do të miratonte pa praninë e opozitës akte të rëndësishme ligjore.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›