Mediu: Mandati i dytë, zgjidh cështjen e pronësisë
Republikanët këmbëngulin për zgjidhje të shpejtë të çështjes së pronësisë në Shqipëri me besimin se përcaktues do të jetë mandati i dytë qeverisës i së djathtës. Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, gjatë një takimi me anëtarë dhe simpatizantë të kësaj partie në qytetin e Laçit, u shpreh se prona private duhet të zgjidhet patjetër, si një përparësi kryesore në mandatin e dytë qeverisës të mazhorancës së djathtë. Sipas zyrës për shtyp të Partisë Republikane, kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, ka zhvilluar një takim elektoral me anëtarë dhe simpatizantë të kësaj partie në qytetin e Laçit. Mediu gjatë këtij takimi tha: ''Prona private duhet të zgjidhet patjetër, si një nga prioritetet kryesore në mandatin e dytë qeverisës dhe kjo duhet të bëhet në radhë të parë duke abroguar ligjin për tokat dhe fermat bujqësore, për t''i kthyer pronarit të ligjshëm atë që i takon''. Ai shtoi më tej: ''Duhet të përcaktohet sa më shpejt fondi për kompensimin e ish-pronarëve, pasi nuk mund të kemi një ligj pa një faturë financiare. Kthimi dhe kompensimi i pronës private është një akt që duhet kryer sa më shpejt'', - duke shtuar: ''Ne të gjithë jemi tashmë pjesë e një të ardhmeje premtuese, me projekte të realizuara dhe reforma të suksesshme, ku Partia Republikane dhe vizioni i saj janë pjesë e këtij realiteti të prekshëm nga të gjithë, duke qenë partnerë të qëllimeve të mëdha''.