E Hënë, 2 Nëntor 2026

Opozita braktis Gjykatën Administrative, Berisha: Akt i papërgjegjshëm



Bojkoti i opozitës në seancën përmbyllëse të kësaj legjislature rrëzoi dje 11 projektligje të rëndësishme, mes tyre edhe atë për Gjykatën Administrative. Kuvendi mbylli dje punimet e seancës së fundit të legjislaturës katërvjeçare, por me një precedent, pasi nuk u arrit të votohej një projektligj i rëndësishëm, ai i krijimit të Gjykatave Administrative. Projektligji në fjalë, i ardhur në Kuvend me konsensus, nuk u miratua pasi kërkon minimalisht 84 vota, ndërkohë që deputetët e opozitës braktisën seancën parlamentare një orë e më parë, duke u rënë tavolinave të Kuvendit. Arsyeja e këtij bojkoti nuk u bë publike, por kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, u ankua se kryetarja Topalli nuk u lejon fjalën në Kuvend. Deputetët e mazhoranës reaguan njëzëri për këtë akt të paprecedentë të opozitës, por më fort reagoi kreu i saj, Sali Berisha, i cili e cilësoi si një akt të papërgjegjshëm të kësaj opozite. “Në memorien e këtij Parlamenti do të mbetet një akt shumë i rëndë, fakti që opozita e braktisi këtë Parlament në orën kur do të votohej për Gjykatën Administrative. Unë kam besimin se biznesi shqiptar do të flasë ndaj këtij akti të papërgjegjshëm”, - deklaroi Berisha. Sipas Kryeministrit, Gjykata Administrative nuk u miratua, pasi bie ndesh me interesat ekonomike të pista të kreut të PS-së, njëkohësisht kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Ky projektligj ishte kërkuar me ngulm të miratohej nga të gjitha organizatat e biznesit për shkak se krijon një hapësirë të re për ankesat e tyre, por opozita vendosi ta braktiste atë. Në vijim të kësaj, Berisha tha se Edi Ramës nuk i duhet një Gjykatë Administrative kur si parim ka vetëm biznes-klientelën. “Është kjo gjykatë e cila i jep fund një diskutimi në këtë Parlament lidhur me disa penalitete të parashikuara për bizneset në raste të caktuara. Është kjo gjykatë që konsolidon konkurrencën e ndershme. Është kjo gjykatë e cila pritet me padurim nga të gjitha shoqatat e biznesit, por ai (Rama) nuk ka parim tjetër përveç biznes-klientelës, atëherë gjykata nuk të duhet”, - tha Berisha.

Përpara mediave dhe deputetëve, Berisha bëri thirrje për të kuptuar politikën e Edi Ramës. Sipas tij, Rama ka krijuar një politikë mashtrimi, si premtimet e dikurshme për ndërtimin e 60 rrugëve të reja në Tiranë apo mbjellja e 10 mijë kumbullave të kuqe. “Qytetarët e Tiranës nuk shohin rrugë të asfaltuara në lagjet e tyre, as gjysmën e atyre të komunave që ju vizitoni të nderuar deputetë. A ju kujtohet, kur u shpall se do të ndërtohen 60 rrugë? Ju lutem mediave ta paraqesin këtë kronikë. Ku janë 60 rrugë të Tiranës? Janë si 10 mijë kumbullat e kuqe që do të mbilleshin, prandaj nuk na duhet gjykata, thotë zotëria, sepse vetëm kështu mund t’i japësh studios tënde 19 leje ndërtimi”, - tha Kryeministri.

Më herët, Kuvendi u përfshi në një debat mes zonjave Topalli e Leskaj si dhe Astrit Patozit. Leskaj deklaroi se opozita vazhdon ende të ketë shqetësimin për çështjen e kartave. “Në emër të grupit të PS-së ju them që t'i harroni zgjedhjet pa karta. Procesi i pajisjes me karta nuk jep garanci që shqiptarëve mund t'u sigurohet e drejta kushtetuese për të votuar”, - tha Leskaj duke akuzuar më tej Topallin për drejtimin e Kuvendit, pasi sipas saj, ky Kuvend ka dashur t’u mbyllë gojën deputetëve të opozitës. Kryetarja Topalli reagoi duke thënë: “Ky është Parlamenti i NATO-s, i rritjes së pensioneve, i firmosjes së MSA-së”. Ajo akuzoi më tej politikën e re të propaganduar nga Edi Rama, duke thënë: “Jeni të blerë me leje ndërtimi dhe 15-përqindësha”. Njëkohësisht edhe kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Patozi, i cilësoi veprimet e opozitës si jo të matura. Në fund të seancës, u vu re se 11 projektligje nuk u votuan për shkak të mungesës së opozitës. Projektligjet kërkojnë një shumicë të cilësuar dhe nuk mund të miratohen pa praninë e opozitës, duke bërë që krahas Gjykatës Administrative, të mos kalojë edhe ligji për ndryshimin në ligjin e kompensimit të pronave, Kodit Doganor, atij Detar etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›