Berisha: Brenda një viti rrisim pagat e gjyqtarëve
Një buxhet i bollshëm dhe të ardhura të mira bëjnë përfitues edhe njerëzit e drejtësisë, pasi qeveria ka vendosur t’u rrisë rrogat brenda vitit. Kryeministri Sali Berisha njoftoi dje se këtë vit do të bëhen përpjekje për të rritur pagat e gjyqtarëve. Në mbledhjen e djeshme të Komitetit të Strategjisë Kombëtare, ku mori në shqyrtim projektbuxhetin e shtetit për vitin 2010, Kryeministri bëri të qartë se rritja e rrogave të gjyqtarëve në Gjykatat e Faktit dhe në Gjykatat e Apelit është e rregulluar me ligjin e organizimit të sistemit të drejtësisë. Sipas tij, ky është një rregullim i rreptë ligjor, i cili është marrë nga standardet ndërkombëtare, ku rroga e një gjyqtari të Gjykatës së Lartë barazohet me rrogën e një ministri, ku rroga e një gjyqtari të Gjykatës së Apelit vjen si 70 për qind e kësaj rroge dhe rroga e një gjyqtari të Gjykatës së Faktit vjen si 50 për qind e kësaj rroge, plus rritjen 2 për qind në vit pas një periudhë vjetërsie. “Pra, si sistem është i mirë, por si nivel pagat e gjyqtarëve të Gjykatave të Faktit janë të ulëta”, - tha më tej Kryeministri. Z. Berisha foli për pamundësinë e ndryshimit të ligjit pa votat e opozitës në Kuvend, por njoftoi masa të reja përmes bonuseve për gjyqtarët. “Ne nuk marrim dot përsipër të ndryshojmë ligjin derisa opozita të hyjë në Parlament për të bërë 84 vota, por qeveria do të gjejë mënyra të tjera, nëpërmjet bonuseve të caktuara, që gjyqtarëve të Faktit t’u rrisim rrogat dhe ata të marrin, jo 50 për qind të rrogës së një gjyqtari të Gjykatës së Lartë, por të marrin 60 për qind të rrogës së një gjyqtari të Gjykatës së Lartë. Kërkesat tona ndaj drejtësisë dhe kërkesat e qytetarëve për funksionimin e saj në përputhje me ligjin janë shumë të domosdoshme, por edhe trajtimi i gjykatësve është jashtëzakonisht i domosdoshëm”, - u shpreh Kryeministri Sali Berisha. Kreu i qeverisë paralajmëroi nisma të reja ligjore për sistemin e drejtësisë, pasi, sipas Berishës, pushteti i drejtësisë vuan nga disa mungesa në fushën e investimeve. Ky problem duhet zgjidhur. Ai bëri të qartë se nuk mund të kërkohet nga Gjykata që të jetë edhe investitor. “Duhet të gjejmë mënyrën se si t’i ofrohen të gjitha këto dhe të ecim me shpejtësi drejt përmirësimeve të ndjeshme në kushtet e punës së tyre”, - deklaroi Kryeministri Sali Berisha. Duke bërë një bilanc të të ardhurave përgjatë këtij viti, Berisha vuri në dukje se ky vit jo vetëm që nuk u karakterizua nga rënia e të ardhurave, duke u krahasuar me vitin 2009, jo vetëm që nuk imponoi zvogëlim të madh të rrogave dhe pensioneve, siç po ndodh dhe po vazhdon në vendet përreth në masën nga 8 deri në 20 për qind, por e kundërta është e vërtetë. Në gjykimin e tij, ky vit shënoi rritjen më të madhe të pagave në historinë e vendit; shënoi rritjen e të ardhurave buxhetore me rreth 8 për qind krahasuar me vitin e kaluar; shënoi rritje të madhe të investimeve të huaja, sipas Bankës së Shqipërisë, 59 për qind; shënoi investimet më të mëdha në historinë e vendit në infrastrukturë dhe në të gjitha fushat e punëve publike. “Pra, përveç fitores së zgjedhjeve, ne kemi një mijë e një arsye të falënderojmë vitin 2009 për treguesit e tij ekonomikë dhe financiarë, si dhe të falënderojmë administratën shqiptare, e cila me përgjegjësi dhe me kompetencë ia doli të menaxhonte në një mënyrë realisht të suksesshme buxhetin e vendit”, - u shpreh Kryeministri Sali Berisha.
Buxheti 2010, Berisha: Stabilitet makroekonomik
Buxheti i vitit 2010 do të jetë një vazhdim i mëtejshëm i përpjekjeve tona për të konsoliduar stabilitetin makroekonomik të vendit. Kryeministri Sali Berisha premtoi dje se gjatë mandat katërvjeçar do të asfaltohen 7 mijë kilometra rrugë në mbarë vendin. Sipas tij: “Projekti ynë për një Shqipëri tjetër do të vazhdojë me agresivitetin më të lartë”. Komiteti i Planifikimit të Strategjive u mblodh dje nën drejtimin e Kryeministrit Berisha dhe mori në shqyrtim projektbuxhetin e shtetit për vitin 2010, përpara se ky projektbuxhet të kalojë për miratim në Këshillin e Ministrave dhe në Parlament. Sipas Berishës, buxheti i vitit 2010 do të jetë vazhdimi i përpjekjeve të qeverisë për të konsoliduar stabilitetin makroekonomik dhe se do të shërbejë për realizimin e projektit madhor që kjo qeveri do të realizojë në këtë mandat të dytë me agresivitet edhe më të lartë: për një Shqipëri tjetër. “Ne nuk rrisim deficitin buxhetor, ndonëse kjo ndodhi me radhë në pothuajse të gjitha ekonomitë. Ne nuk rrisim borxhin, ndonëse efekti euro ka sjellë rritjen e tij me mbi 1 për qind në raport me Prodhimin e Brendshëm. Ne do të bëjmë çdo gjë që të ecim drejt parametrave më të mirë makroekonomikë gjatë vitit 2010”, - u shpreh z. Berisha. Ai përmendi se duke ruajtur dhe konsoliduar një nivel shumë të lartë investimesh, janë projekte të mëdha të cilat shqiptarët mezi presin t’i shohin të zbatuara. Sipas tij, është Rruga e Arbrit; ëndrra e qytetarëve të Elbasanit për t’u lidhur me tunel me qytetin e Tiranës; Boshti i Jugut dhe një seri projektesh të mëdha.