E Diel, 1 Nëntor 2026

Kandidatura e Shqipërisë, Bildt: S’ka pengesa politike



Presidenca suedeze e Bashkimit Evropian garantoi dje se kërkesa e Shqipërisë për kandidaturën si vend kandidat për të hyrë në Bashkimin Evropian nuk ka asnjë pengesë politike. Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së u mblodh dje në Luksemburg, ku u diskutua edhe për çështjet e zgjerimit. Duke folur pas një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg, ministri i Jashtëm suedez, Carl Bildt, tha se procedurat e ndërlikuara të shqyrtimit të kërkesave të vendeve të ndryshme, sipas kushteve të Traktatit të Lisbonës, kanë bërë që aplikimi i Shqipërisë të mos jetë konsideruar ende nga BE-ja. Gjatë konferencës për shtyp, Bildt tha se Shqipëria nuk ka asnjë pengesë politike për shqyrtimin e kandidaturës, duke pohuar se të gjitha vendet janë dakord që Shqipëria të përparojë drejt BE-së. Ai tha se ka vetëm një problem teknik që lidhet me procesin zgjedhor në Gjermani. Atje sapo është krijuar qeveria e re dhe sipas Traktatit të Lisbonës, të gjitha vendet duhet të kenë qeveri funksionale. "E vetmja vonesë këtu ka qenë për faktin se Parlamenti gjerman nuk është mbledhur ende dhe sipas kushteve të Traktatit të Lisbonës, ne kemi procedura më të ndërlikuara - konsultimin e parlamenteve në disa vende, përfshirë edhe vendin tim (Suedia), megjithëse ne nuk kemi pasur zgjedhje kohët e fundit, por gjermanët kanë pasur zgjedhje kohët e fundit", - tha ministri Bildt.

Duke qëndruar në të njëjtën çështje, ai garantoi se kjo mbetet vetëm një çështje teknike. “Pra, është thjesht çështje teknike dhe nuk është politike”, - theksoi ministri i Jashtëm i Suedisë. Ndërkaq, vetëm Islanda ka përfituar një procedurë të përshpejtuar të anëtarësimit menjëherë sapo ky vend bëri aplikimin.

Takimi i ministrave

Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian, gjatë drekës zyrtare, zhvilloi një shkëmbim pikëpamjesh për situatën në Bosnje- Hercegovinë, duke përmendur edhe takimet e mbajtura në kampin Butmir në 8-9 dhe 20-21 tetor me shtatë liderët e partive politike dhe nën kryesinë e përbashkët BE-SHBA. Këshilli ftoi udhëheqjen e Bosnjë-Hercegovinës për të kapur këtë mundësi, të cilët e konsideruan si dhe shtyrje e krijuar nga bisedimet, por që duhet të vijohet dialogu. Këshilli i Ministrave u bëri thirrje udhëheqësve të marrin përgjegjësi më të madhe, duke iu kujtuar atyre se kompromiset janë të nevojshme për të siguruar të ardhmen e Bonjës-Hercegovinës në BE dhe NATO. Këshilli theksoi angazhimin e vazhdueshëm të BE-së, do të ndihmojë dhe të punojë me udhëheqësit lokalë politikë për të lëvizur këtë vend përpara drejt BE-së. Në këtë takim u fol edhe për shumë çështje të tjera, kryesisht të lidhura me sigurinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›