E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria i zgjat dorën opozitës, Topi: Shkoni më tej, dialogoni



Qeveria i zgjati dje opozitës dorën e bashkëpunimit. Ka përdorur diplomacinë për një model të ri dialogimi por Ilir Meta teksa i ka zgjatur dorën, Edi Rama ka ulur kokën. Një tentativë e zv/kryeministrit Ilir Meta, ish-aleatit të kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, për të shkrirë marëdhëniet e ngrira, në këtë rast nga pozitat e kryetarit të një partie në bashkëqeverisje. Në konferencën ndërkombëtare mbi bashkëjetesën ndërfetare, Meta ishte i pari që i zgjati dorën Ramës. Por kjo nuk ka thyer akullin aq më pak të lexohet si një sinjal jeshil drejt gjetjes së rrugës për të futur në shina dialogun qeveri -opozitë. I përqendruar tek teksti i fjalimit për në konferencën mbi bashkëjetesën ndërfetare, ku u pa qartë tensioni i kësaj pritjeje të panevojshme për të nisur takimi. Mungesa e dialogut politik u duk dhe në paragrafet e fjalimeve që u mbajtën në takim. Ilir Meta kur tha se lipset uniteti politik, dhe Edi Rama kur vuri në dyshim opinionin europian mbi Shqipërinë, sot e kësaj dite. Në këtë rast Presidenti i Republikës nuk i mbetet veç të nxisë dialogun që dukshëm sipas tij është vetëm në dorë të politikës.

Disa minuta “paqeje” përmes një shtrëngimi duarsh mes dy kundërshtarëve politikë, Ilir Meta dhe Edi Rama, ku kreut të shtetit, Bamir Topi, i ka shërbyer si instrument për t’u kërkuar vijimësinë e dialogut politik. Bashkëjetesa fetare, të paktën formalisht, ofroi dje pak paqe mes Edi Ramës dhe Ilir Metës, tashmë njëri në opozitë dhe tjetri në pushtet. Një seminar ndërkombëtar me temë “Sfida dhe zgjidhje për bashkëjetesën fetare në rajonin e Mesdheut”, organizuar nga fondacioni “Anna Lindh” i përfaqësuar nga drejtori ekzekutiv, Andre Klaret, në bashkëpunim me Forumin Shqiptar për Aleancën e Qytetërimeve, i përfaqësuar nga presidenti i këtij forumi, Besnik Mustafaj, u dha mundësinë Metës dhe Ramës të ishin të ftuar bashkë me Presidentin Topi. Ishte pikërisht zëvendëskryeministri Ilir Meta që sapo ka hyrë në sallë i tërhoqi vëmendjen Ramës duke i zgjatur dorën. Por, përveç këtij shtrëngimi duarsh, prania në një tavolinë nuk ka fshehur ndarjen politike mes dy aleatëve të dikurshëm, tashmë kundërshtarë, që pas kalimit të Metës në qeverinë “Berisha”. Të ftuarit e shumtë në seminar kthyen vështrimet nga takimi surprizë, ndërkohë që Presidenti Bamir Topi gjeti momentin e përshtatshëm për të pohuar që kjo të mos jetë sipërfaqësore, por të vazhdohet me dialogun politik. Kreu i shtetit u kërkoi faktorëve kryesorë të politikës të gjejnë gjuhën e këtij dialogu, që natyrisht do të shërbente për të çuar përpara reformat në vend. Ky takim për bashkëjetesën fetare jo rastësisht ka ulur në një tryezë Presidentin Topi, i cili i përket besimit mysliman, zëvendëskryeministrin Ilir Meta, të besimit bektashi, dhe Edi Ramën, që vjen nga një familje ortodokse. Shtrëngimi i djeshëm i duarve është i pari pas acarimit të marrëdhënieve të ndërprera mes dy liderëve pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Gjatë gjithë kësaj kohe Rama dhe Meta i janë drejtuar në distancë njëri-tjetrit me deklarata të ashpra dhe fyese, duke ia hedhur fajin njëri-tjetrit për zgjedhjet parlamentare, por të paktën dje bashkëjetesa fetare ka mundur të sjellë paqe dhe qetësinë mes dy kundërshtarëve të mëdhenj. Meta i ka zgjatur i pari duart dhe më pas Rama i është përgjigjur përshëndetjes. Pas shtrëngimit të duarve, asnjë prej tyre nuk dha ndonjë deklaratë apo hodhi ndonjë batutë, por vazhduan qetësisht konferencën, ku folën për fetë dhe bashkëjetesën e tyre në Shqipëri. Presidenti Topi komentoi dhe përshëndeti shtrëngimin e duarve mes dy kundërshtarëve. I pyetur nga mediat e pranishme nëse harmonia fetare duhet të reflektohet edhe në harmoni e dialog politik, Presidenti Topi u përgjigj: “Unë gjithmonë e kam thënë këtë, jo të kundërtën. Edhe brenda fjalës sime ndonëse konteksti ishte për çështjen e harmonisë fetare, u përdorën ligjërata edhe për nevojën e dialogut politik”. Ndërsa pyetjes se a mund të thotë mendimin e tij, nëse një shtrëngim duarsh mjafton për të ulur gjakrat në vendin tonë, kreu i shtetit shqiptar iu përgjigj: “Shtrëngimi i duarve është një moment formal, i domosdoshëm, por çështja duhet të shkojë më tej sesa ana sipërfaqësore, duhet të shkojë në substancë dhe kjo është në konstitucionin shpirtëror të çdo njeriu”. I pyetur pse nuk munden dot politikanët të bashkëjetojnë me njëri-tjetrin, Presidenti Topi u përgjigj: “Duhet të pyesni dhe aktorët e politikës, sepse unë nuk mund të jem supervizor për gjithçka”. Takimi Meta-Rama vjen në një moment kur Kuvendi i Shqipërisë vazhdon punimet pa praninë e opozitës në sallë pasi 65 deputetët e Partisë Socialiste nuk marrin pjesë në seanca.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›