E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Brenda vitit marrim statusin e vendit kandidat - mandatin e ardhshëm mijëra vende të reja pune

13-06-2013 / Gazeta 55

PD, miting elektoral në Tregan, prezantohen kandidatët për deputetë

Kryeministri: Më 23 qershor, ai që do çlodhet është Edi Rama, ne do lodhemi për mirëqenien e shqiptarëve

“Deputetët e Qarkut të Elbasanit, me z.Bylykbashi, me qeveritarët tuaj vendore, 4 vitet që vijnë do bëjnë gjithçka për zhvillimin e komunave tuaja, për zhvillimin e Elbasanit dhe Shqipërisë”. Në mitingun elektoral në Tregan me banorët e komunave Shushicë, Shirgjan, Tregan, Gjinar dhe Zavalinë, shefi i qeverisë premtoi financim të çdo projekti të fermerëve të këtyre komunave. “Vitet që lamë prapa, nuk kanë qenë të lehta, me djersë dhe sakrifica, së bashku ia dolëm të sjellim Shqipërinë në orën e zhvillimit, e sollëm në stadin përfundimtar të zhvillimit. 4 vitet që vijnë, janë vite vendimtare”, deklaroi lideri i PD-së, duke shtuar se, “ia dolëm të sjellim, këto komuna në orën e zhvillimit pasi këto vite ndërtuam dhjetëra e dhjetëra kilometra rrugë”. Ai bëri të ditur se në Qarkun e Elbasanit, u ndërtuan rreth 510 km rrugë, dhe së shpejti përfundon rruga më e rëndësishme e këtij 4 vjeçari, autostrada Tiranë-Elbasan. “Autostrada që bashkon Tiranën me Elbasanin, që u ofron ju potencialet e mëdha të tregut të Tiranës, ju afron me Tiranën, pothuaj një orë”, deklaroi kreu i ekzekutivit. Duke pohuar se rruga është zhvillim, Berisha tha se, “do të përfundojë rruga Librazhd-Peshkopi, Qukës-Qafë Plloqë, Boshti i Jugut, Cërrik-Kuçovë-Berat, ndërsa do të ndërtojmë by-passin e Elbasanit”. Ai tha se, “aty ku jeni ju, do të ndërtojmë rrugë që prodhimet tuaja të dalin sa më shpejt në treg, por edhe që pasuritë natyre, potencialet e mëdha turistike të zonave në Qarkun e Elbasanit, të bëhen një potencial për të gjithë shqiptarët dhe turistët nga mbarë Europa”. Më tej, shefi i qeverisë shqiptare u ndal të shfrytëzimi i të gjitha burimeve ujore për ndërtimin e HEC-eve, ku deklaroi se “në këtë qark, janë për tu ndërtuar, përmes kaskadës së Devollit edhe 80 HEC-e të tjera në të cilat do punësohen mijëra e mijëra qytetarë të Elbasanit, dhe nga mbarë Shqipëria”. Duke përmendur edhe një sërë arritjesh të tjera në infrastrukturë, arsim etj, Kryeministri Berisha deklaroi se statusi i vendit kandidat na pret brenda vitit. Duke iu përgjigjur deklaratave të kryesocialistit Rama se ai është lodhur dhe duhet të largohet, Berisha tha se ai që duhet të çlodhet është Rama, pasi PD-ja do të fitojë në 23 qershor.
“Çlodhu ti shoku Rama, se ne do të vazhdojmë të lodhemi për mirëqenien tonë, për mirëqenien e fëmijëve tanë, për rrugë të reja, shkolla, spitale, qendra shëndetësore, për të ecur përpara. Ndërsa t’i vazhdo në kuti, vazhdo në gjumë, ne do të fitojmë”, përfundoi kryeministri Berisha.
Inaugurohet fillimi i punimeve për rikonstruksionin e rrugës Gostime – Gjyrale – Belsh/Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje në inaugurimin e fillimit të punimeve për rikonstruksionin e rrugës Gostime - Gjyrale – Belsh, me vlerë rreth 430 milion lekë. Rruga me gjatësi 16 km, investim i qeverisë shqiptare dhe donatorëve të tjerë  do të bëjë përfitues 19 mijë banorë të komunave Gostimë, Shalës, dhe Bashkisë Belsh. Kjo zonë e njohur kryesisht për kultivimin e bimëve bujqësore si drithëra buke, perime, bime foragjere e pemëtari, për vreshtarinë dhe ullishtat e saj, ka vajtuar prej kohësh mungesën e infrastrukturës për tregtimin dhe transportin e këtyre produkteve drejt tregjeve lokale dhe rajonale. Për të zhvilluar dhe mbështetur më tej këtë zonë, Kryeministri risolli në vëmendje projektin qeverisës. “Ju jeni arkitektët e vërtetë të zhvillimit dhe ne ju mbështesim ju. Kemi investuar në fshatra 60% të buxhetit, në rrugë, shkolla, ujësjellës e kanalizime. Ne do të vijojmë me subvencionet, ndaj kryetari i komunës do të hapë një zyrë që të marrë aplikimet tuaja”, vlerësoi Berisha. Sipas tij, përballë kësaj alternative është një alternativë e cila është e rrezikshme dhe rrënuese për fermerin. “Çfarë premton shoku i autobusit? Një gjë shumë të rrezikshme për ju, premton të heqë TVSH për grurin dhe natyrisht do të mbyste prodhimin tuaj. Ju iku Bashkia e Tiranës tani u duhen monopolet e ushqimeve, njëri të marrë vajin, tjetri grurin tjetri miellin e me radhe. A do ndodhë kjo? Jo, sepse më 23 qershor fermerët do të votojnë për fermat e tyre, për rrugë të asfaltuara, për rimbursim me para në dorë të akcizës së naftës, të makinerive që përdorin për prodhim, pra për vlerësim të djersës tuaj, prodhimeve tuaja”, deklaroi Kryeministri.
Dhe një tjetër lajm vjen për banorët e këtij qarku. “Këto ditë kemi ngjarjen më të madhe për Elbasanin e gjithë Shqipërinë, hapim tunelin, hapim rrugën për trafik dhe të parët që arrini në Tiranë me prodhimet tuaja do të jeni ju, fermerë të Elbasanit, fermerë të Dumresë”, bëri me dije Berisha. Ndërkohë që rruga e re do të ndërtohet do të jetë me të gjithë parametrat inxhinierik. Ajo do të ketë një gjerësi nga 5.5 deri në 6 m, shtresat asfaltike, veprat e artit, muret mbajtës dhe pritës si dhe infrastrukturën e duhur inxhinierike. Investimi do të kryhet në kuadër të një ndërhyrje rrënjësore në përmirësimin e infrastrukturës së zonës së Dumresë. Në zonën e Dumresë kanë përfunduar punimet në aksin Belsh – Fierzë – Kosovë, dhe po punohet në akset Grekan – Deshiran – Vlashuk, Mollas – Selite – Frashër, dhe Hygjokaj – Rrasë – Vashaj me gjatësi rreth 64 km rrugë me vlerë totale rreth 21 milionë dollarë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›