E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD parti e së ardhmes, të rinjtë do t’i japin fitoren

13-06-2013 / Gazeta 55

Arben Imami dhe Eduard Selami festojnë me të rinjtë e Librazhdit

Në qytetin e Librazhdit kreu i deputetëve të PD në Qarkun e Elbasanit, Arben Imami i shoqëruar nga kandidati për deputet, Eduard Selami janë pritur në një atmosferë entuziaste nga qindra të rinj të këtij qyteti. Edhe pse në mes të rrebeshit të shiut veror, asgjë s’i ndali të rinjtë e këtij qyteti për të vazhduar festën e nisur. Në fjalën e tij Selami, falënderoi në veçanti të rinjtë e Librazhdit për mbështetje që i ka dhënë PD gjatë të gjithë kësaj fushate elektorale. Pasi ka ngritur lart figurën e kandidatit për deputet në këtë qytet, Imami e ka cilësuar Eduard Selamin si një nga themeluesit e PD. Ai kërkoi votat e të rinjve për një mandat të tretë të demokratëve, pasi siç u shpreh z.Imami, PD është parti e së ardhmes. “Rinia juaj është rini e lirisë, është rinia e Europës, e zhvillimit, është rini e cila do t’i japë fitoren PD në 23 qershor. Kjo parti është partia juaj, Edi ka qenë 27 vjeç kur është themeluar PD, ashtu si Azem Hajdari. Ata e themeluan, por PD është e juaja, e të rinjve, është parti që do të mbetet gjithmonë parti e së ardhmes, një parti që do të shohë gjithmonë nga ardhmja, një parti e cila e shkëputi nga diktatura komuniste, çau muret e komunizmit, çau të gjitha muret, dhe tashmë do të çajë edhe murin e fundit atë të bllokimit i cili do ta na dërgojë në Europë”- u shpreh z.Imami.
Edi Rama i ka shpallur luftë privatizimeve dhe investitorëve. Me PD-në Elbasani do të behet një rajon i fuqishëm industrial/Arben Imami në vijim të turit të tij elektoral, është ndalur në një takim me kompani të ndryshme që operojnë në ambientet e Ish Kombinatit Metalurgjik të qytetit të Elbasanit. Imami ka bashkëbiseduar me administratorët e këtyre kompanive, ku edhe ka dëgjuar me interes rreth prodhimeve të tyre në fusha të ndryshme të industrisë, si edhe projektet që kanë në të ardhmen. Në veçanti Imami është ndalur tek shoqëria Europa sh.p.k, e cila operon ne Shqipëri në sektorin e projektimit, prodhimit, montimit të konstruksioneve metalike të mesme dhe të rënda e destinuar në fushën industriale, civile dhe në aplikimet hidraulike. Gjatë këtij, bashkëbisedimi është vënë në dukje, në veçanti, kushtet aktuale të Ish Metalurgjikut ku pjesa më e madhe e godinave dhe ish uzinave si edhe rrugët brenda ambienteve të metalurgjikut janë të amortizuara, edhe pse një pjesë e objekteve është privatizuar dhe kjo zonë së shpejti do të kthehet në një park industrial, kjo dhe për shkak të kërkesave të bizneseve të huaja për të investuar në të ardhmen pikërisht në këtë zonë. “Jemi në zemër të Shqipërisë, rrugët po na vijnë, është një qytet industrial dhe duhet që të gjithë industritë të prodhohen këtu”, janë shprehur gjatë këtij bashkëbisedimi përfaqësues të kompanive. Nga ana e tij Imami ka deklaruar se “energjia do të vazhdojë të prodhohet, është e sigurt që duke pasur rrugët e ndërtuara, duke pasur energjinë që prodhohet kaq afër, plus linjat e interkonjeksionit që kalojnë këtu, sigurisht që ka furnizim të sigurt për çfarëdolloj fuqie për çfarëdolloj energjie”, tha Imami.
Respekti për gruan dhe familjen, është bazë e doktrinës së kësaj qeverie/Në vijim të turit elektoral, Arben Imami në cilësinë e kryesuesit të kandidatëve për deputet në qarkun e Elbasanit ka zhvilluar një takim me gratë e rajonit nr.5 dhe 6 të qytetit. Imami ka deklaruar se stafi pedagogjik përbëhet kryesisht nga gratë dhe kjo shpreh qartë se sa qeveria e vlerëson figurën e gruas në tërësi. Ai ritheksoi edhe një herë premtimin e kryeministrit për arsimtarët që brenda këtij katër vjeçari do t’i rrisë rrogat në 700 dollarë, ndërkohë që janë ndërtuar 100 shkolla, investimet më të mëdha, janë realizuar në qarkun e Elbasanit. “Respekti për gruan, respekti për familjen, është bazë e doktrinës së kësaj qeveria, ne do të zhvillohemi në krahun e dijes, arsimit, rrugës, hidrocentraleve, në krahun e bazamenteve të shëndosha të një familje të shëndoshë. Familja është qendra e shoqërisë, është e pathyeshme, familja nuk lejon diktaturat dhe këta postdiktatorialët që të shkërmoqin njeriun dhe ta trajtojnë si individ dhe të mund të cenojnë liritë dhe të drejtat e tij. Gratë janë të barabarta ashtu siç janë baballarët si etër të fëmijëve të përbashkët, mbi këtë bazë ndërtohet familja. Të ecim së bashku përpara me këtë zhvillim që kemi nisur edhe 4 vitet e ardhshme” - deklaroi z.Imami.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›