E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Buxheti i 2011-ës, gati më 1 shtator



Partia Socialiste i cilësoi gënjeshtra deklaratat e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e djeshme të Qeverisë, lidhur me situatën ekonomike. Deputeti i saj, Ilir Beqja tha se Berisha gënjeu në mbledhjen e Qeverisë se “borxhi publik në vitin 2005 ka qenë 70%. Gënjeshtër! Vetë informacioni zyrtar i Ministrisë së Financave thotë se ka qenë 57 %. Sali Berisha deklaroi se fondi i pensioneve është 109 miliardë lekë. Vetë ligji i buxhetit, i miratuar ditën e hënë thotë se është 75 miliardë lekë”. “Sot duam të përsërisim se është kriminale t’u japësh pensionistëve shtesë më pak se inflacioni. Sot duam të përsërisim se është kriminale t’u japësh personave me aftësi të kufizuar 2 mijë lekë më pak se detyrimi ligjor. Në 6-mujorin e parë 2009, administrata tatimore ka shënuar rekordet më të këqija në 10 vitet e fundit”, u shpreh Beqja.

Kryeministri Sali Berisha u kërkoi dje ministrave që të përfundojnë hartimin e buxhetit të vitit 2011 brenda muajit gusht dhe më 1 shtator, ai të miratohet në Qeveri. Këtë kërkesë kreu i Ekzekutivit e bëri dje gjatë mbledhjes së përjavshme me kabinetin, ku theksoi se brenda muajit shtator dokumenti ekonomik do të kalojë në Kuvend. “Sot, kryefjala është buxheti afatmesëm në tërësi dhe në veçanti, në këtë kontekst, fillimi nga të gjitha agjencitë dhe ministritë e vendit të hartimit të buxhetit për vitin 2011. Buxheti, i cili duhet të dorëzohet në Qeveri më datën 1 shtator dhe Qeveria brenda shtatorit ta dërgojë në Parlament”, u shpreh Berisha. Sipas Kryeministrit, edhe gjatë vitit të ardhshëm do të vazhdojë rritja e pagave dhe pensioneve, si dhe do të jenë prioritet investimet në infrastrukturë. “Rritja e rrogave dhe pensioneve do të jetë sërish në axhendën e kësaj Qeverie. Ka një zotim solem, elektoral timin para mbarë shqiptarëve, për sa kohë do të më votoni, do të rris rrogat dhe pensionet. Ne së bashku do të mbajmë premtimin. Mbajtëm premtimin dhe në vitet më të vështira të krizës botërore dhe unë mendoj se, vepruam shumë drejt dhe kam bindjen më të thellë, se kjo politikë dhe ky premtim i mbajtur, ka dhënë kontributin e tij të pamohueshëm në parandalimin e krizës në këtë vend”, vijoi më tej kreu i Qeverisë. Parashikimi i Kryeministrit për vitin e ardhshëm është rritja ekonomike 5 për qind, duke pasur parasysh siç tha ai grantet dhe kreditë në shumën totale rreth 3.2 miliardë euro që do të marrë Qeveria deri në vitin 2013, por pjesa më e vështirë e ministrave duket se ka qenë fondi për shpenzimet administrative. Berisha kërkoi që gjatë hartimit të buxhetit, shpenzimet e këtij lloji të jenë ato të përcaktuara pak ditë më parë kur u rishqyrtua buxheti i këtij viti. “Do të zbatohen të gjitha projektet e mëdha, por zotërinj ministra, niveli i shpenzimeve të administratës, do të jetë ky që u përcaktua me vendimin që morëm për shkurtimin e tyre. Kur them shpenzimet, them shpenzimet e administratës, jo investimet. Ne duhet të bëjmë një përpjekje të madhe për të kursyer çdo qindarkë nga shpenzimet e administratës”, tha Berisha. Sipas tij, “buxheti i vitit të ardhshëm do të jetë buxheti më i madh në historinë e Shqipërisë, do të jetë buxheti më i fuqishëm, do të jetë buxheti, i cili do të dëshmojë dyfishimin në kohën më të shkurtër të rritjes ekonomike në vend. Edhe njëherë nëse bazohemi në rritjen e të ardhurave dhe nuk ka tregues më të ndjeshëm”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›