Tokat me qira, procedura e ankandit
Qeveria përcakton procedurën si do të jepen me qira tokat e papunuara.
Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave është miratuar një vendim i propozuar nga Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, për përcaktimin e detyrave dhe përgjegjësive të bordit të qiradhënies, si dhe procedurat që do të ndiqen në këtë rast. Sipas këtij vendimi, të gjitha komunat dhe bashkitë e vendit brenda datës 6 shkurt të çdo viti do të publikojnë në secilin fshat tokat e papunuara që do të jepen me qira. Personat e interesuar për t’i marrë këto toka, do të kenë afat deri më 25 shkurt për të paraqitur kërkesën e tyre. Më pas Pushteti Lokal zhvillon ankandin për të nxjerrë ofertën më të mirë. Periudha e zhvillimit të ankandit është e njëjtë për të gjitha njësitë e qeverisjes vendore dhe fillon më 1 mars e mbaron më 20 mars të çdo viti. Vendimi parashikon që nëse për një parcelë që jepet me qira, paraqitet një ofertë pas afatit të përcaktuar, zhvillohet një ankand në periudhën 20 prill-10 maj. “Një person fizik ose juridik mund të konkurrojë për një ose më shumë ngastra (parcela)/pronësi brenda të njëjtit fshat, si dhe në fshatra të tjerë brenda juridiksionit të komunës dhe/ose bashkisë”, thuhet në vendimin e publikuar dje nga Qeveria.
Shqyrtimi i ofertave
Vendimi përcakton që Bordi i qiradhënies së tokave bujqësore, i komunës ose bashkisë, mblidhet me pjesëmarrje të plotë të anëtarëve, në datën, orën dhe vendin e caktuar në njoftim. Shqyrtimi i kërkesave për qiramarrjen dhe vendimet e këtij bordi kanë vlefshmëri ligjore vetëm kur këto merren me praninë e të gjithë anëtarëve të tij. Në paragrafin e tretë të kreut katër parashikohet se cilat janë ofertat e favorizuara në këtë ankand. “Bordi vlerëson me përparësi ofertuesin që ka përcaktuar nivelin më të lartë të vlerës vjetore të qirasë, lekë/ha, në raport me kufirin më të ulët (çmimin dysheme), të përcaktuar në nenin 15, të ligjit nr 10 263, datë 8.4.2010, “Për përdorimin dhe shfrytëzimin e tokave bujqësore të pakultivuara””, thuhet në vendim. Më pas shtohet se “Kur rezultojnë dy ose më shumë oferta me të njëjtin nivel qiraje të vlerës vjetore, lekë/ha, për të njëjtën parcelë (ngastër)/pronë, bordi e vlerëson si fituese ofertën që ka kohëzgjatje më të madhe të qiramarrjes (në vite).
Kur edhe ky tregues, në dy ose më shumë oferta rezulton i njëjtë, bordi organizon hedhjen e shortit ndërmjet konkurruesve”. Vendimi i ankandit shpallet pesë ditë nga zhvillimi i tij dhe ofertuesit që nuk kanë fituar mund të ankohen te kryetari i komunës ose bashkisë brenda 10 ditëve. Ky i fundit ka gjithashtu 10 ditë kohë për t’u përgjigjur dhe më pas ofertuesi, në varësi të kësaj përgjigjeje, mund t’i drejtohet gjykatës. E njëjta procedurë ndiqet edhe në rastet kur për një parcelë ka vetëm një ofertë, por kushti që ajo të jetë fituese është që çmimi i vendosur nga ofertuesi të mos jetë më i vogël se ai dysheme, i përcaktuar nga Bordi. Pas përfundimit të të gjitha këtyre etapave lidhet marrëveshja mes ofertuesit me ofertën më të madhe dhe komunës ose bashkisë. “Në rastin kur personi i shpallur fitues nga BQ-ja refuzon lidhjen e kontratës, ftohet, për lidhjen e kontratës, fituesi i vendit të dytë, të tretë e kështu me radhë”, thuhet më tej në vendim.