Berisha: Buxheti i 2012-ës, më i madhi në historinë e vendit
Qeveria është fazën përmbyllëse të miratimit të buxhetit të vitit të ardhshëm në qeveri. Kryeministri Berisha zbardhi dje para grupit parlamentar disa nga treguesit themelorë të buxhetit 2012. Duke theksuar se, “do të jetë buxheti më i madh në historinë e vendit, kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë shkurtime buxhetore të shpenzimeve të tjera, përveç investimeve në infrastrukturë, si një kusht i domosdoshëm për të realizuar programin tonë, - tha Kryeministri. - Në këtë buxhet do të jetë përparësore rritja e rrogave dhe e pensioneve”. Berisha theksoi se do të shkohet drejt arritjes së standardeve të vendeve të zhvilluara si në fushën e investime, në fushën e shëndetësisë, arsimit. Sipas tij, buxheti do të mbështesë përfundimin e të gjitha akseve të mëdha rrugore. Vitin e ardhshëm do të përfundohet autostrada Levan-Tepelenë. Gjirokastra, Tepelena, Përmeti dhe Saranda, pasi të përfundojë segmenti Kardhiq-Delvinë, që të gjitha këto në më pak se dy orë, Saranda në më pak se dy orë e gjysmë kapen nga Tirana dhe faktikisht Shqipëria, shqiptarët nga çdo skaj i këtij vendi, pas përfundimit edhe të rrugës së Arbrit, e cila dhe ajo po ecën”, - tha Kryeministri. Sipas tij, buxheti do të mbështesë plotësisht boshtin e Jugut, autostradën Tiranë-Elbasan, dhe boshtin Elbasan-Berat. Do të mbështesë Levan-Tepelenë, by-passin e Fierit, i cili duhet t’i informojë qytetarët e Fierit se u shty pak për faktin e vetëm se studimet dështuan, se Apolonia shtrihet edhe në fushë dhe nuk mund të ndërtohet kurrë mbi një trashëgimi botërore siç është Apolonia.