E Shtunë, 31 Tetor 2026

Infrastruktura, ja segmentet që do të financohen në 2012-ën

Investimet e parashikuara në buxhetin e vitit që vjen do të mbështesin infrastrukturën rrugore dhe për më tepër vetëm projektet e nisura. Mbështetjen më të madhe do ta ketë autostrada e re Tiranë –Elbasan dhe financimi i tunelit si pjesë e këtij aksi. Gjithashtu do të mbështeten me fonde Levan-Tepelenë, dhe by-passi i Fierit. Buxheti i vitit 2012 do të mbështesë përfundimin e autostradës Shkodër-Hani i Hotit dhe rrugën Qafë-Plloçë-Qukës. Përfundimin e rrugës Kardhiq –Delvinë, progresin e mëtejshëm të rrugës së Arbërit në të dyja anët, në drejtim të tunelit, nga Ura e Vashës dhe nga Shkalla e Tujanit në drejtim të Qaf-Murrizit. Fondet që do të mbështesin investimet kapitale do të jenë më të ulëta se të këtij viti. Llogaritjet paraprake flasin për rreth 72 miliardë lekë nga më shumë se 73 miliardë lekë që janë vënë në dispozicion këtë vit. Mirëpo kjo shumë do të mbështesë vetëm projektet e nisura deri me tani, sidomos projektet madhore, duke mos parashikuar hapjen e fronteve të reja. Gjatë viteve të fundit infrastruktura dhe në veçanti ajo rrugore kanë qenë ndër tre prioritetet kryesore, duke përfituar dhjetëra miliardë lekë nga buxheti i shtetit. Por, duket se vitin e ardhshëm dy sektorët më të rëndësishëm do të jenë vetëm arsimi dhe shëndetësia. Ministria e Financave ka nisur prej më një muaji shqyrtimin e kërkesave të dikastereve të ndryshme për buxhetin e vitit 2012. Gjatë takimeve me ministritë e linjës po përcaktohen tavanet e buxhetit për projektet e paraqitura. Por burimet në ministrinë e Financave shtojnë se, infrastruktura rrugore pritet të mos marrë më “pjesën më të madhe të tortës” ashtu si vitet e tjera. Megjithatë, drafti përfundimtar i buxhetit do të nxjerrë në dritë dhe hollësitë e ndarjes së fondeve. infrastruktura rrugore në Shqipëri është sektori që ka përfituar dhjetëra miliarda lekë nga buxheti i shtetit, si dhe nga financime të huaja, për vetë gjendjen e rëndë në të cilën ndodheshin rrugët tona kombëtare. Por, përparësi absolute gjatë këtyre viteve ka qenë ndërtimi i Rrugës së Kombit, Durrës-Kukës-Morinë. Por, duket se me përfundimin e kësaj rruge paratë e shtetit po rrudhen nga viti në vit. Kështu, nga 59,8 miliardë lekë që u dhanë gjatë vitit 2008, kjo shumë thuajse është përgjysmuar në vitin 2011 deri në 34,7 miliardë. Ndërsa pritet që buxheti i vitit të ardhshëm të sjellë edhe më pak para për këtë sektor.

Akset rrugore që do të mbështeten me fonde në 2012

Rruga e re me tunel Tiranë-Elbasan

By-pass Plepa-Kavajë-Rrogozhinë

By-passi i Fierit

Rruga e Arbrit

Kardhiq-Delvinë

Kanali i Cukës-Butrint

Qukës-Qafë Plloçë

Unaza Korçë

Valbonës segm B.Curri-Margegaj-Dragobi-Valbonë

Porto Romano- Durrës

Unaza e Re e Tiranës-Mullet

Unaza e qytetit të Durrësit

Rr. paralele superstrada Tiranë-Vorë

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›