E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbikëqyrësit e kolaudimit, afat 3 muaj për rinovimin e licencave

18/10/2011  Urdhri i ri i ministrit të Punëve Publike. Ja dokumentet që duhet të dorëzojnë subjektet

Ministria e Punëve Publike dhe Transporteve u lë afat tre muaj mbikëqyrësve të kolaudimit për të rinovuar licencat. Të gjithë ata mbikëqyrës të kolaudimeve që kanë një licencë sipas kushteve të mëparshme do të duhet të zbatojnë rregullat e reja, në të kundërt licenca nuk do të ketë më vlerë. “Subjektet fizike dhe juridike që disponojnë licenca profesionale për ushtrim aktiviteti në fushën e mbikëqyrjes e kolaudimit sipas kategorive të mëparshme (jo sipas kategorive të miratuara me këtë urdhër), duhet të paraqiten për rinovimin e tyre 3 muaj nga hyrja në fuqi e këtij urdhri. Mbas këtij afati licencat do të konsiderohen të pavlefshme”, – thekson urdhri i ministrit të Punëve Publike, Sokol Olldashi. Urdhri është i datës 12 shtator, që do të thotë se mbikëqyrësit e kolaudimeve kanë afat deri më 12 dhjetor për të bërë rinovimin e licencës. Urdhri bën disa ndryshime në rregulloren “Për kriteret dhe procedurat e dhënies së licencave profesionale për punët publike”. Për rinovimin e kategorive të licencës individuale të mbikëqyrjes e kolaudimit, kërkesa për rinovimin e kategorive shoqërohet me CV profesionale, kopje të kartës së identitetit, mandatin e kryerjes së pagesës prej 1 euro. Për rinovimin e kategorive të licencës së shoqërisë për mbikëqyrje e kolaudim, kërkesa për rinovimin e kategorive shoqërohet me CV-në profesionale të shoqërisë, kopje të ekstraktit të QKR-së, mandatin e kryerjes së pagesës prej 1 euro. Urdhri përcakton gjithashtu edhe kushtet dhe kriteret për studime dhe projektime të ndërtimit dhe mbylljes së venddepozitimeve të mbetjeve të ngurta (vetëm për shoqëri/ subjekte juridike). Këtë kategori e përfitojnë shoqëritë/subjektet juridike që kanë të regjistruar për drejtues teknik të paktën dy specialistë të lartë, të cilët duhet të kenë jo më pak se 5 vjet eksperiencë profesionale në këtë fushë, një specialist duhet të këtë diplomë universitare të integruar ose diplomë të nivelit të dytë në “Inxhinieri mjedisi” ose “Kimi teknologjike” (për këtë të fundit të jenë diplomuar përpara vitit 1985) dhe tjetri duhet të ketë diplomë universitare të integruar ose diplomë të nivelit të dytë në degët e inxhinierisë së ndërtimit, inxhinieri ndërtimi ose hidroteknik.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›