Ramadani: ERE nuk do të rrisë çmimin e energjisë për konsumatorët
Konsumatorët shqiptarë edhe për 2012-ën nuk do të kenë një faturë më të kripur për energjinë elektrike. Pavarësisht propozimeve nëpërmjet aplikimeve pranë ERE-s për rritje, çmimi të këtij produkti jetik nga ana e KESH, CEZ Shpërndarje dhe OST, duket se nuk do të ketë rritje të çmimit edhe për vitin 2012. Konfirmimi vjen vetë nga kreu i Entit Rregullator të Energjisë Elektrike, Sokol Ramadani, i cili është shprehur se, pavarësisht procedurës, ERE do të marrë parasysh konsumatorin fundor duke e ruajtur atë nga fatura e rëndë. Në këtë mënyrë, ashtu si për 2011-ën, pavarësisht Deklaratës Rregullatore, e cila dikton që në 2012 të ketë ndryshim tarifash për sa i përket faturës së energjisë elektrike. Në këtë mënyrë, propozimet e operatorëve me shumicë dhe pakicë të energjisë elektrike janë: OST ka propozuar rritje çmimi me 0.73 lekë për kwh për vitin 2012, CEZ Shpërndarje i ka kërkuar ERE-s miratimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike për vitin 2012, mesatarisht 4.5 për qind, ndërsa KESH mbi 5 %. Aktualisht, çmimi i energjisë për familjarët është 7.7 L/kwh për brezin e parë të faturimit dhe 13.5 L/kwh për tejkalimin e brezit prej 300 kwh/muaj. Dokumenti zyrtar i rregullimit të çmimeve të energjisë (Deklaratës Rregullatore) parashikon që çmimet e energjisë të vitit 2012 do të jenë të vlefshme deri më 2014-ën. Që do të thotë, tarifat që ERE do të miratojë në dhjetor të 2011-ës, nuk do të shqyrtohen më deri në vitin 2014. Ndërsa, për sa i përket miratimit të deklaratave rregullatore vijuese, jo më vonë se 30 qershor 2014, ERE do të miratojë një deklaratë rregullatore për periudhat e rregullimit që vijojnë pas vitit 2014, e cila nuk do të ndryshojë ndjeshëm në metodologji nga kjo deklaratë rregullatore dhe për të mënjanuar çdo dyshim, Deklarata Rregullatore e re do të vazhdojë të përmbajë Mekanizmin e Kompensimit. Në rast se kërkesa për të ardhura e CEZ për një vit të dhënë rezulton me një rritje të tarifës totale mesatare për konsumatorët tariforë me të lartë se 15%, atëherë rritja minimale e tarifës mesatare e njohur nga ERE do të jetë 15%.
Tanimë të tre furnizuesit me shumicë dhe pakicë të këtij produkti; KESH, OST dhe CEZ Shpërndarje, kanë bërë aplikimet e tyre sipas traditës pranë Entit Rregullator të Energjisë në muajin shtator dhe ky i fundit është duke analizuar kërkesat e tyre për të vendosur në dhjetor tarifat përfundimtare. Por sipas deklaratës më të fundit të kreut të ERE-s, Sokol Ramadanit, konsumatorët familjarë nuk do të kenë rritje të çmimit ët energjisë elektrike edhe për vitin 2012.