E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha-Cameron: Integrimi në BE, proçes jetik për Shqipërinë

Ashtu sic ishte paraparë, kryeministri Sali Berisha i cili ndodhet në Londër për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Londër 2012, është takuar me kryeministrin e Britanisë së Madhe, David Cameron.

Në këtë takim, kryeministri Berisha e njohu kryeministrin Cameron me bashkëpunimin parlamentar dhe reformat e ndërmarra me opozitën për plotësimin e kërkesave të KE për statusin e vendit kandidat.

Në këtë drejtim, kreu i qeverisë shqiptare e siguroi kryeministrin britanik se për qeverinë e tij dhe për shqiptarët integrimi i vendit në BE është projekti më kryesor dhe se ai e konsideron atë si një proces jetik dhe të bazuar në meritë.

Po ashtu, kryeministri Berisha është ndaluar edhe tek reformat e gjithanshme të ndërmarra nga qeveria nga viti 2005 e në vazhdim, rezultatet e këtyre reformave në treguesit kryesor të zhvillimit njerëzor në disa prej të cilave Shqipëria ka arritur vendet e zhvilluara.

Në takimin e zhvilluar me kryeministrin britanik, kreu i qeverisë shqiptare e ka njohur atë me arritjet e vendit në fushën e ekonomike, me rritjen ekonomike katër herë më të madhe se mesatarja e rajonit, arritjet në thithjen e investimeve të huaja ndër më të lartat për frymë dhe ndërtimin e infrastrukturës së re të vendit, ecurinë e Shqipërisë drejt moshës dixhitale.

Kryeministri David Cameron vlerësoi arritjet e Shqipërisë në të gjitha fushat në tërësi, rritjen ekonomike të vendit dhe rezultatin e reformave në këtë fushe si dhe e siguroi kryeministrin Berisha për mbështetjen e tij dhe të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për vendin tonë.

Kryeministri Berisha falënderoi përzemërsisht kryeministrin Cameron për kohën dhe pritjen e veçantë që i rezervoi në një dite kaq të ngarkuar dhe i shprehu mirënjohjen e tij për të gjithë mbështetjen e çmuar që Britania e Madhe i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë në përpjekjet e saja për të ndërtuar demokracinë bazuar në vlerat e tregut dhe integrimin e vendit në NATO dhe tani në procesin e Integrimit Europian si dhe për bashkëpunimin e frytshëm që ekziston midis dy vendeve tona në fushën e zbatimit të ligjit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›