E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Darka në Strasburg? Nuk na vendosën ultimatume

“Në mënyrë kategorike s’ka pasur diçka të tillë”

Krerët e lartë të Parlamentit dhe Komisionit Europian nuk na dhanë ultimatum për asnjë çështje, teksa biseduam për zgjidhjen e ngërçit politik në vend. Kjo ishte deklarata që bëri dje Kryeministri Sali Berisha, gjatë mbledhjes së radhës së qeverisë, në kuadër të informimit të ministrave për darkën që ai dhe kreu i Partisë Socialiste, Rama, kaluan me drejtuesit e lartë të PE-së dhe komisionerin për Zgjerim, Stefan Fule. Mohimin e ultimatumeve gjatë darkës në restorant “Krokodil” në Strasburg, kreu e qeverisë e përmendi në kuadër të deklarimeve të ardhura nga ana e përfaqësuesve të PS-së. “Dua t’ju garantoj një gjë, që në darkë nuk ka pasur, në mënyrë kategorike dhe absolute, asnjë ultimatum. Se ndaj një vendi të lirë dhe një procesi zgjedhor të lirë e të ndershëm nuk mund të imagjinojë kush të japë ultimatume. çdo interpretim i kësaj natyre është tërësisht interpretim primitiv, thellësisht primitiv”, deklaroi Berisha në lidhje me atë çfarë ndodhi në takimin informal të rangut të lartë. Sipas tij, qeveria që ai drejton është legjitime dhe e dalë nga zgjedhjet më të mira në historinë e vendit dhe për këtë arsye nuk mund që asaj t’i vendosen ultimatume. “Ata që imagjinojnë se kësaj qeverie i qenkan dhënë ultimatume, atyre u ka mbetur ora në kohërat më të vështira të këtij vendi”, deklaroi Berisha, duke nënkuptuar këtu përfaqësuesit e opozitës. Por kreu i qeverisë i ftoi ata të bënin kujdes për sa i përket gjuhës së përdorur në retorikën e tyre politike. Berisha theksoi se ishte e nevojshme që të dihej mirë konteksti ku përdorej fjala ultimatum në politikë. “Atyre që i mbahen doktrinës së ultimatumeve mund t’u them se nuk u shërben. Doktrina e ultimatumeve është një doktrinë e papajtueshme me dialogun, është doktrinë e papajtueshme me kompromisin. Duhet ta studiojnë mirë politikën dhe të shohin se kur hyjnë në fuqi ultimatume dhe në cilat rrethana aplikohen ato”, shtoi Kryeministri. Nga ana tjetër, Berisha e konsideroi si qartësisht pozitiv takimin e Strasburgut. Sipas tij, darka u zhvillua mes miqve të Shqipërisë dhe se ai do të ishte i gatshëm të shkonte për të diskutuar sa herë që të ftohej. Në lidhje me diskutimet që u zhvilluan brenda saj, Berisha sqaroi se ndonëse ai nuk mund të fliste për detaje, rëndësi kishte fakti se aty zgjidhjet që ishin diskutuar lidheshin me vendosmërinë për të respektuar Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Në këtë kuadër, kreu i qeverisë theksoi se zgjidhja nuk mund të vinte në optikën e “borxheve” që qeveria mund t’i kishte opozitës, por ajo duhet të vinte në përputhje me ligjet e vendit tonë. “Në tryezë u fol për studimin e hapësirave të mundshme për të arritur në një zgjidhje të ngërçit të krijuar. Por jashtë çdo lloj konteksti të një borxhi ndaj ndokujt. Këtë dua t’jua them në mënyrën më të prerë. Sigurisht, qeveria ka detyrime konstante morale ndaj opozitës dhe kjo nuk mund të mohohet”, deklaroi Berisha, duke shtuar se në kuadër të këtij qëndrimi opozitës i janë bërë oferta pa asnjë lloj kompleksi. Sipas Berishës, ndonëse palët kishin ndarë mendime të ndryshme me njëri-tjetrin, ai nuk e konceptonte kundërshtarin politik si një armik. “Unë kundërshtarin nuk e marr për armik. Unë nuk udhëhiqem kurrë në mendjen time nga kulti i armikut, sepse është rruga më e papranueshme në rrafshin psikologjik, por dhe rruga më e sigurt e dështimit në rrafshin politik”, theksoi kreu i qeverisë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›