Shqipëri-Arabi Saudite, zhvillime të reja në kultura e trashëgimi
Një delegacion i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë, kryesuar nga ministri Ferdinand Xhaferaj, ndodhet për vizitë në Arabinë Saudite. Qëllimi i kësaj vizite është pjesëmarrja në Konferencën Ndërkombëtare për Trashëgiminë Urbane Islamike dhe rolin e saj në zhvillimin ekonomik e kulturor, e cila po zhvillohet këto ditë në Riad. Konferenca, në të cilën merr pjesë delegacioni ynë, zhvillohet në patronazhin e Princit Saudit, Sultan bin Selman Al Saud, njëkohësisht president i Komitetit të Zhvillimit Kulturor në Arabinë Saudite. Takimet dhe bisedimet me autoritetet e Katarit kanë vendosur një dimension të ri në marrëdhëniet midis dy vendeve në fushën e kulturës. Ministri i Kulturës së Katarit e ka siguruar ministrin Xhaferaj se marrëdhëniet e të dyja vendeve do të njohin zhvillime të reja cilësore, duke përmendur faktin se këto marrëdhënie do të konkretizohen në një marrëveshje të re në fushën e kulturës e të trashëgimisë kulturore, e cila do të nënshkruhet muajin e ardhshëm nga Emiri i Katarit dhe Kryeministri i Shqipërisë, Berisha. Princi Sulltan bin Salman Al Saud i siguroi ministrit Xhaferaj mbështetje të gjithanshme për zhvillimin e kulturës dhe turizmit në Shqipëri. Ndërkaq, ai me kënaqësi ka pranuar ftesën e ministrit Xhaferaj, që në një të ardhme të afërt ta vizitojë Shqipërinë, ku Princi Sulltan është treguar entuziast se këtë vizitë do ta zhvillojë në muajin shtator ose tetor. Në takimin me ministrin e Kulturës dhe Edukimit të Arabisë Saudite, Princin Faisal bin Abdullah bin Mohamed, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, zoti Xhaferaj, mori mbështetjen nga pala Saudite për intensifikimin e marrëdhënieve në fushën e kulturës e të trashëgimisë kulturore midis dy vendeve. Ndër të tjera, ministri Saudit premtoi mbështetjen financiare të vendit të tij për zhvillimin e disa projekteve në fushën e trashëgimisë kulturore dhe promocionit shqiptar në arenën ndërkombëtare.
#