Berisha: Deputetët në kohën e Enver Hoxhës s’kanë pasur makina, as tani s’do kenë
Është i domosdoshëm ndryshimi i ligjeve të bazuara në etjen e skajshme, ose ndryshe ‘babëzinë’. Ligji i statusit të deputetit është i bazuar në ‘babëzinë’. Nuk ka vend në botë që deputeti të marrë 1.5 herë më shumë se kryeministri në dieta e të tjera. Ky fakt nuk më shqetëson, por deputeti shqiptar nuk mund të jetë deputeti i vetëm në Evropë me makinë dhe shofer
Deputetët e Shqipërisë nuk do të kenë më në organikën e tyre shoferë dhe makina, por do i duhet t’i ngasin vetë makinat e tyre. Kryeministri i Shqipërisë ka deklaruar dje gjatë mbledhjes së qeverisë se do të shkurtojë shpenzimet për Kuvendin e Shqipërisë. Për habinë e të gjithëve, si standard kryeministri ka marrë kohën e diktaturës, kur deputetët e asaj kohe merrnin trenin dhe autobusin për të ndjekur seancat e Kuvendit dhe për ngritur kartonët pohues për qeverinë. Berisha pranon se ata deputetë ishin fiktivë, por ama nuk kishin privilegjet që, sipas tij, kanë deputetët sot. “Kërkoj, nga përfaqësuesit e forcave politike të mazhorancës të jemi të përgatitur të marrim çdo vendim për të luftuar më tej korrupsionin te partitë tona, te statuset e pamerituara. Në drejtim të kësaj të fundit, është tejkaluar diktatura. Gjërat duhet t’i shohim siç janë. Në periudhën e diktaturës deputeti nuk ka pasur makinë. Deputeti ishte fiktiv, deputet i një regjimi totalitar, por, për hir të së vërtetës, makinë nuk kishte. Është koha që të kontribuojë çdo njeri”, - tha Berisha. Sipas tij, kjo është një kërkesë dhe e organizmave ndërkombëtare, si dhe raportet apo vendimet e KE për korrupsionin në Shqipëri “Unë po i citoj disa herë vendimet e fundit të Komisionit Evropian për t’u bërë të ditur qytetarëve shqiptarë se korrupsioni është shpata e Damokleut mbi procesin e integrimit në BE. Çdo zyrtar që dëshiron të kontribuojë në këtë projekt, që e mbështesin mbi 90 për qind e shqiptarëve, nuk duhet të ketë asnjë iluzion, por duhet të japë kontributin e tij me të gjitha mundësitë. Kjo nuk duhet të merret thjesht dhe lehtë, pasi dikujt i tingëllon e shëmtuar, dikujt tjetër bizare, kur dëgjon se ka një vend të varfër në Evropë, që parlamentarët e të cilit janë me makina dhe shoferë. Këtë e konsideroj standard ‘babëzie’ dhe jo standard evropian. Ne jemi mazhoranca dhe përgjegjësia është e jona. Kjo platformë do t’u japë përgjigjen më të mirë çështjeve që janë për t’u zgjidhur dhe konsolidimit të atyre që janë arritur”, - tha Berisha.